Loriana kërkon mrekullinë në Botëror

Sport September 25, 2018 - 08:33

Kosova do ta mbyllë eksperiencën e saj në Kampionatin Botëror të Xhudos me garuesen Loriana Kuka, shkruan sot gazeta Zëri.

Pejania do të garojë sot në evenimentin që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

Loriana, e rritur në Zvicër, por që është kthyer për të jetuar në Kosovë për shkak të xhudos, do të garojë në kategorinë 78 kilogramë.

Ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë do të përballet me sllovenen Klara Apotekar, që gjithashtu kaloi në rrethin e dytë pa luftë.

Edhe pse konkurrenca është e tmerrshme, Kuka do t’ia bëjë hyzmetin në kërkim të suksesit në Botëror.

Në këtë eveniment Kosovën e përfaqësuan katër garues, ndërsa mungoi kampionia e dyfishtë botërore, Majlinda Kelmendi, pasi trajneri Driton Kuka nuk deshi të rrezikonte me të.

Distria Krasniqi u eliminua herët në ditën e parë të Botërorit, ndërsa pak ditë më vonë rrugën e saj e ndoqën edhe vëlla e motër, Akil dhe Nora Gjakova.

Kjo e fundit e arriti rezultatin më të mirë duke përfunduar e shtata në Botëror. Të tre garuesit megjithatë fituan pikë olimpike. /Zëri/