Shpëtimi i Dritës

Sport September 25, 2018 - 10:29

Drita po e kërkon shpëtimin te Shpëtim Duro, shkruan sot gazeta Zëri.

Kampionia e edicionit të kaluar kampionatin e ri e nisi në mënyrë katastrofale – me një fitore fillestare për të vazhduar me katër humbje të njëpasnjëshme.

Këto rezultate shkaktuan çrregullime të mëdha në skuadër, në shtab teknik e deri në kryesi. Mirëpo, udhëheqësia e klubit reagoi duke e angazhuar trajnerin e njohur shqiptar Shpëtim Duron, tek i cili e pa shpëtimin.

Trajneri i ri, i ardhur nga Shqipëria, është bërë tani shpresa e madhe e shpëtimit për gjilanasit sidomos pas debutimit të tij me fitore në futbollin kosovar.

Qysh në ndeshjen e parë me Duron Drita arriti ta fitojë derbin e madh të xhiros së gjashtë kundër rivales dhe kandidates së madhe për titull, Prishtinës (1:0).

Kjo e fitore e ka gëzuar shumë edhe trajnerin e ardhur nga Shqipëria “për ta shpëtuar” kampionen e Kosovës të cilën e gjeti, siç thotë ai, në gjendje kritike.

“Situata në skuadër ishte kritike. Ekipi kishte katër ndeshje pa fituar dhe gjendja psikologjike nuk ishte shumë e mirë. Në derbin me Prishtinën u futëm ndoshta me pak ngarkesë në këtë lojë”, ka thënë Duro.

“Shumë e mirë për çdo trajner, jo vetëm për mua, kur e fillon në një ambient tjetër debutimin me fitore, sepse ndikon psikologjikisht në shumë anë. Normalisht, të jemi realistë, kisha situatë jopozitive, sepse vinte Drita nga katër humbje dhe të mos harrojmë që ishte kampione në fuqi. Nuk doja të humbnisim nga Prishtina sepse kjo veç çka mund ta dëmtonte edhe më shumë psikologjikisht skuadrën që vinte me katër humbje”, është shprehur Duro.

Drita mbetet poshtë në tabelë, në vendin e dhjetë, me dy fitore e katër humbje dhe me një bilanc prej 6 pikësh.

Tani gjilanasit i kanë tetë pikë më pak sesa kryesuesi aktual, Feronikeli.

Fitorja e parë me Duron mund t’i mbajë gjallë shpresat e bardhekaltërve për ta mbrojtur titullin. /Zëri/