Osvaldo, nga futbollisti në muzikant!

Sport September 25, 2018 - 10:27

Osvaldo ia ka kthyer shpinën futbollit. Ish-sulmuesi i njohur argjentinas thotë se nuk e pëlqeu jetën e një futbollisti, ku ishte i izoluar dhe nuk kishte liri. Ai tash i është përkushtuar muzikës dhe po e shijon jetën më shumë. Flet edhe për Ronaldon e për Messin, por edhe për ish-trajnerët e tij

Një personazh gjithnjë jashtë skemave të futbollit, shpirt i lirë më shumë sesa duhet për futbollin e sotëm, me një sjellje jashtë rregullave, të cilat nuk falen, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo Daniel Osvaldo, ish-sulmues i Fiorentinës, i Romës, i Interit e i Juventusit nuk e vajton faktin se e ka lënë futbollin vetëm si 30 vjeç për t’iu dedikuar muzikës.

“Bota e topit nuk bënte më për mua. Cristiano Ronaldos i pëlqen të kthehet në shtëpi dhe t’i bëjë 150 ushtrime të muskujve të barkut, ndërsa mua më pëlqen të kthehem në shtëpi ta përgatis flakën për ‘barbecue’”, ka thënë fillimisht italo-argjentinasi për të përditshmen spanjolle “Marca”.

“Futbolli ma ka dhënë mundësinë ta ndihmoj familjen time, të fitoj aq shumë sa të ma mundësojë të mos punoj më. Ma ka mundësuar të udhëtoj dhe të njoh vende e persona të ndryshëm, ma ka ndryshuar jetën, por ma ka mohuar lirinë. Dhe unë nuk mund të heq dorë nga liria”, shton Osvaldo.

“Unë e dua futbollin, këtë nuk e mohoj”, ka thënë tutje ish-futbollisti, i cili gjatë karrierës ia ka tepruar nganjëherë, si ajo e përdorimit të cigares.

“Gjatë grumbullimit me kombëtaren italiane pija cigare. Madje, edhe trajneri ishte detyruar të vinte dhe të kërkonte që ta ndalja atë. Schelotto ndërkohë më ka larguar nga Boca Juniors. Unë pi shumë duhan. Dje kam shkuar me miq për të luajtur futboll dhe ndihesha si i vdekur. Sot ndiej dhimbje dhe ndihem keq”, tregon Osvaldo.

Image

Për Messin

Osvaldo ka folur edhe për bashkëkombësin e tij, Lionel Messi.

“Nëse do të doja të jem si ai? Jo, do më pëlqente të luaj si ai. Mirëpo, ai e bën një jetë ‘ferri’, jeton në një burg të artë. Ai nuk mund të vijë kurrë në një lokal dhe të pijë diçka i qetë. Ndoshta nuk i intereson kjo, por mua po. E imagjinoj nëse do ta blija televizorin më të madh në botë, por që nuk mund ta lëshoja kurrë në shtëpi. Ose ta blija një Ferrari, duke e ditur se mund ta vozis vetëm 15 minuta në qendrën sportive të Barcelonës...”, shton Osvaldo.

Raporti me trajnerët

Ish-sulmuesi i rrezikshëm i ka përmendur edhe trajnerët, me të cilët, me disa prej tyre, ka pasur raporte të mira e me disa të tjerë të këqija.

“Pochettino ka ditur se si të sillej me mua, mbi të gjitha në Espanyol. Në Southampton më pak, ndoshta për shkak se ai ka ndryshuar, derisa unë isha personi i njëjtë. Ishte si një baba për mua. Por, më i miri absolut është Antonio Conte: kishte gjithmonë arsye! Dukej se i shihte gjërat më përpara se të tjerët. Me Luis Enriquen kam pasur momente tensioni, pse ai është person i sinqertë dhe nuk të gënjen kurrë. Si trajner ishte një gjeni, i njëjtë me Guardiolën. Me të e kishe ndjenjën se mund t’i shënoja 6 gola në ndeshje”, ka përfunduar Osvaldo. /Zëri/