Nga këmbëzbathur në yll futbolli, Gervinho ju rrëqeth me fëmijërinë e tij!

Sport September 25, 2018 - 10:23

Gervinho sot është yll i futbollit botëror, por futbollisti afrikan ka sakrifikuar shumë për të ardhur deri te kjo ditë. Sulmuesi kujton kohën e fëmijërisë në Bregun e Fildishtë kur luante këmbëzbathur dhe kushtet që duheshin plotësuar për të siguruar këpucë sportive. Ai po mundohet të bëhet inspirim dhe t’i gëzojë tifozët me golat e tij

Futbollistët afrikanë e heqin të zinjtë e ullirit për të arritur diçka në jetë, shkruan sot gazeta Zëri.

Pjesa dërrmuese e tyre kanë fëmijëri të vështirë para se të bëhen yje të futbollit. I tillë është edhe rasti i Gervinhos.

Sulmuesi këmbëshpejtë i Parmës ka rrëfyer për fëmijërinë e tij të tmerrshme.

Ai ka zbuluar se kur ishte fëmijë nuk kishte këpucë sportive dhe kështu ishte detyruar të luante këmbëzbathur.

Më pas i janë dashur sakrifica të mëdha për të arritur fillimisht deri te këpucët sportive e më pas hap pas hapi për të arritur deri aty ku është sot.

Teste të vështira për të siguruar këpucë sportive

Gervinho e shënoi një gol spektakolar ndaj Cagliarit fundjavën që shkoi duke u nisur nga mbrojtja e deri në sulm me një solo aksion për ta shënuar një gol të bukur, i cili do të mbahet në mend gjatë.

Dhe ish-futbollisti i Arsenalit dhe i Romës ka treguar se ku i ka shkuar mendja kur e realizoi këtë gol të rrallë.

“Pasi e shënova golin e fundit, më janë kujtuar fillimet e mia, në kampet e Abidjan, në Bregun e Fildishtë. Luanim zbathur, këpucët sportive na jepnin vetëm pas tri vjetësh ushtrime dhe nëse i kalonim disa lloje testesh. I pari ishte: 50 goditje të topit me kokë ‘kundër’ një muri pa e lënë topin të binte në tokë. Më pas 50 goditje të topit me kofshë. Më pas me këmbë. Fillimisht me të djathtën e më pas me të majtën. Akademia e Abidjan ishte shkolla ime e edukimit. Si 16-vjeçar m’i kanë blerë këpucët sportive dhe e kam siguruar fanellën me emrin Gervinho në Shpinë. Mund ta imagjinoni si ndihesha: isha në qiell”, ka treguar Gervinho në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

Ai e ka kujtuar edhe kohën kur në shtëpinë e tij nuk kishte televizor, por që ishin të kënaqur kur kishin çka të hanin e tëpinin.

“Isha 9 vjeç, në shtëpinë time, në Bregun e Fildishtë, nuk kishim televizor. Ne ishim të kënaqur kur kishte diçka për të ngrënë. Më kujtohet goli i Weah në ndeshjen Milan – Verona, ishte një kryevepër. Edhe pse goli im ndaj Cagliarit nuk është më i keq, apo jo?”, tregon ai.

Synon t’i zbavitë njerëzit

Ai e ka përshkruar edhe lojën e tij në futboll, ku nuk mungon spektakli.

“Loja ime është shpejtësi dhe fantazi. Instinkt i pastër dhe kur i kam parë njerëzit të lumtur për golat e mi, për mua kjo është dhurata më e bukur. Dua t’i zbavit të gjithë ata që vijnë në stadium, ky është objektivi im”, përfundoi ai. /Zëri/