Anton Cena kampion evropian për veteranë për herë të katërt, ia zbardh fytyrën prapë Kosovës

Sport September 22, 2018 - 17:45

Anton Cena vazhdon t’ia zbardhë fytyrën Kosovës, shkruan Zeri.info.

Ai është shpallur sot kampion i Evropës për veteranë në Kampionatin e shtatë Evropian për Polici, Zjarrfikës, Korrektues, Doganë dhe Ushtri.

Me këtë rast, Cena u konfirmua kampion i Kontinentit të Vjetër, derisa kjo është hera e katërt që ai shpallet më i miri i Evropës.

Ai e bëri këtë midis Spanjës, në vendin i cili nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet.

Pa dyshim, nëse shteti i Kosovës duhet të investojë diku, atëherë Anton Cena është personi i duhur dhe garanci që çdo herë na bën krenar dhe të mburemi me rezultatet e tij anë e mbanë globit, posaçërisht në shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por që na njohin përmes tij.

Andaj, Policia por edhe krejt shteti i Kosovës kanë arsye për festë sot.

Lum Kosova dhe Policia e Kosovës që e kanë një sportist si Cena, e cila e përfaqëson institucionin në të cilin punon në mënyrën më të mirë të mundshme.

Antoni muajin tjetër do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për Veteranë në Meksikë dhe ka nevojë për mbështetje financiare dhe morale nga Policia dhe shteti i Kosovës, për të na sjellë një tjetër medalje botërore.

Urime kampion dhe vazhdo ta nderosh shtetin tënd dhe krejt shqiptarët me rezultate të tilla edhe në të ardhmen. Paq shëndet dhe jetë të gjatë!

Më poshtë mund ta lexoni postimin emocionues të Anton Cenës në “Facebook” pasi u konfirmua kampion i Evropës.

“Luftë pas lufte, arrin edhe fundi i kësaj sfide sa të vështirë për nga natyra sportive, aq edhe emotive personalisht për mua ! Vështirësitë në gara, arrita t'i kaloj lehtë meqë isha përgaditur deri në nivelin më madhor , pa u ndalur ditë e natë, përderisa herë pas here gjatë garës më dyfishohej sikleti i përgjegjësisë morale, që doemos të dilja fitues, pikërisht këtu në shtetin që ende nuk e ka njohur Kosovën !

Arrita ta bëj, të jem fitues dhe me medale të artë të ngrihem i pari, e pavarësisht bindjeve politike të Spanjës, ta ngris flamurin e Kosovës lart e më lart në këtë arenë shumë të nxehtë që do të mbahet mend sigurisht Kosova.

Ishte kjo gara e parë në Judo e Kampionatit të shtatë Evropian për Policë, Zjarrëfikës, Dogana dhe Korrektues, ku garova në grupmoshën 50-59 vjeç,dhe fitorja që rrëmbeva është motiv edhe për dy disiplinat tjera që do të garoj, Judo dhe Brazilijen Ju Jitsu .

Sfida e rradhes Meksika!

Kjo është medalja e katërt e artë dhe ju betohem që edhe njëmijë herë po të jem pjesëmarrës në të tilla ngjarje, Kosovës do t'i sillja gjithmonë të artat.

Dashuria për atdheun kërkon punë,angazhim dhe suksese, kërkon të japësh veten në çdo fushë e të dalësh përtej vetes, që vendi të krenohet e të përfaqësohet ashtu siç e meriton !

Faleminderit për përkrahjen e parezervë Drejtorit të Policisë dhe stafit Komandues në përgjithësi.Pa mbështetjen tuaj, synimet e mia do të kishin mbetur vetëm plane !

Ta gëzosh fitoren Kosovë !

Urime Policia e Kosovës, forca më e mirë e sigurisë në rajon !

I juaji, Ambasadori i palodhur për një shtet të parë kudo që kërkohet të jetë përmes emrit tim”, ka shkruar Cena. /Zëri/