Fundjavë e zjarrtë

Sport September 22, 2018 - 13:37
Lajmet e fundit nga sporti
Image

Xhiroja e gjashtë e Superligës së Kosovës në futboll do t’i sjellë dy derbi të mëdhenj në këtë fundjavë. Njëri do të zhvillohet të shtunën, kurse tjetri të dielën.

Sot në kryeqytet zhvillohet përballja e madhe, ku kryesuesi Flamurtari e pret top-kandidatin për titull, Feronikelin. Kuqezinjtë janë befasues të jashtëzakonshëm në fillim të këtij kampionati. Ata i kanë kaluar pesë xhiro pa pësuar humbje, duke e arritur kuotën e 13 pikëve përmes katër fitoreve dhe një barazimi. Natyrisht, rezultate të shkëlqyeshme këto nga një skuadër, e cila vetëm para pak muajsh mezi e kishte siguruar mbijetesën në Superligë, ku tani po i bën telashe klubet më të mëdha dhe më të pasura elitare, shkruan Gazeta "Zëri".

Përkundër kësaj ecurie fillestare fenomenale, Flamurtari ende nuk e ka shpallur kandidaturën për titull të kampionit. Për ta shpallur ose jo këtë e ka lënë ta bëjë pas ndeshjes me Feronikelin, varësisht rezultatit dhe paraqitjes. “Nëse e kalojmë me sukses edhe Feronikelin, atëherë mund t’ia mësyjmë titullit vjeshtor, në mënyrë që pas pjesës së parë të kampionatit ta rrisim fondin e futbollistëve dhe në pranverë të luftojmë deri në fund për titull”, ka thënë për “Zërin” trajneri i prishtinasve, Arsim Thaçi.

Humbje nuk ka pësuar akoma as Feronikeli, i cili i ka tri fitore e dy barazime dhe dy pikë më pak sesa Flamurtari. Andaj, ekipi nga Drenasi synon ta ndalë mrekullinë e prishtinasve dhe t’ia shkaktojë humbjen e parë, në mënyrë që t’ia marrë vendin e parë. Gjithsesi, mision ky tepër i vështirë, por assesi i pamundur.

Udhëtim mjaft i vështirë e pret të shtunën edhe kandidatin tjetër të madh për titull Llapin, i cili së fundmi “kiksoi” në shtëpi, duke luajtur baras me Flamurtarin. Ndërsa tani do ta vizitojë Lirinë, e cila në Prizren gjithnjë tregon karakter dhe këtë pritet ta bëjë edhe sot në një kohë kur po kërkon stabilitet. Ndërsa Drenica ka shans ideal ta arrijë fitoren me vlerë, pasi luan si mysafire e KEK-ut, i cili nuk po arrin të fitojë respekt.

Derbi tjetër i madh i javës do të zhvillohet në Gjilan, i cili pritet të mbledhë numër tejet të madh të shikuesve. Atje takohen kampionia në fuqi Drita me nënkampionen aktuale FC Prishtinën. Në mesin e tyre tashmë ka lindur një rivalitet i madh sportiv, i cili pritet ta ndezë edhe përballjen e së dielës.

Të dyja këto ekipe sezonin e ri e kanë nisur me objektiv të njëjtë – e duan titullin “kampion”. Mirëpo gjilanasit deri më tani kanë dështuar totalisht, duke i pësuar katër humbje dhe duke e shënuar vetëm një fitore. Këto rezultate çrregulluan shumëçka në klub, ndërsa Kryesia u detyrua ta angazhojë trajnerin e njohur nga Shqipëria Shpëtim Duron, me të cilin pret që pikërisht ndaj Prishtinës ta ndërpresë të keqen dhe ta nisë të mirën – rrugëtimin serioz drejt titullit. Por, prishtinasit synojnë ta ruajnë pamposhtmëninë, ndërsa fitorja si mysafirë është një prioritet real i tyre në Dritë.