Kosova tenton mrekullinë botërore

Sport September 22, 2018 - 11:05
Lajmet e fundit nga sporti
Image

Në një konkurrencë të tmerrshme Kosova synon ta bëjë mrekullinë e radhës në xhudon botërore. Pas eliminimit të hershëm të Distria Krasniqit, trajneri Driton Kuka do të provojë sot të fitojë medalje në Kampionatin Botëror përmes Nora Gjakovës dhe vëllait të saj Akil Gjakovës. Majlinda Kelmendi është e vetmja nga Kosova që e ka fituar Botërorin. Madje i gëzon dy tituj botërorë. Kurse sot vëlla e motër synojnë ta shkruajnë nga një faqe të re në historinë e sportit tonë, shkruan sot Gazeta "zëri".

Përkundër eliminimit të Distria Krasniqit, e cila të enjten nuk arriti të shkojë përtej xhiros së dytë të kategorisë 48 kg., Kosova mbetet në garë për të fituar medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos, i cili po mbahet në Azerbajxhan. Derisa Distria i ka dhënë fund aventurës në këtë ngjarje tepër të rëndësishme, shpresat e Kosovës tani janë Nora Gjakova dhe Akil Gjakova. Vëlla e motër të shtunën do të kërkojnë medalje botërore për Kosovën. Nora do të garojë në kategorinë 57, kurse Akili në kategorinë 73 kg.

Shorti ka dashur që Nora Gjakova ta kalojë rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë e pret fituesen e duelit në mes të marokenes Soumiya Iraoui dhe garueses nga Bregu i Fildishtë, Abzetta Zouleiha Dabonne. Kurse vëllai i saj Akili po ashtu fillon prej rrethit të dytë, ku do të ballafaqohet me garuesin nga Kepi i Gjelbër Magner Mendes, që po ashtu kaloi më tutje pa luftë.

Në këtë Botëror është një konkurrencë tejet e fortë në të gjitha kategoritë. Gjithsesi, bëhet luftë e jashtëzakonshme për medalje dhe për pikë olimpike, të vlefshme për kualifikim në Olimpiadën “Tokio 2020”. Natyrisht Kosova tashmë është bërë e fortë në xhudon botërore, ku ka fituar gjithçka që është e mundshme për t’u fituar. Ekipi i trajnerit Driton Kuka e ka nisur rrugën sa të gjatë, aq të vështirë për të fituar medalje. “Është një Botëror tmerrësisht i fortë. Kalimi në mesin e tetë më të mirëve është shumë vështirë të arrihet. Vetëm pasi të arrihet kjo ne mund të mendojmë për medalje dhe t’i kërkojmë ato”, ka thënë Kuka. Trajneri tejet i suksesshëm kosovar përpos Distria Krasniqit, Nora Gjakovës dhe Akil Gjakovës në Botëror e ka marrë edhe Loriana Kukën, e cila do të garojë të martën në kategorinë 78 kilogramë. Paraprakisht Kuka i ka stërvitur fortë reprezentuesit tanë. “Përgatitjet sivjet kanë shkuar mirë. Flasin edhe sukseset në gara të tjera deri tash”, ka thënë Kuka për “Zërin”.

Deri tash vetëm Majlinda Kelmendi ka fituar medalje në Kampionat Botëror. Ajo i ka fituar dy tituj botërorë. Majlinda ka shkuar bashkë me ekipin kosovar në Azerbajxhan, mirëpo nuk do të garojë për shkak se ende nuk është rikuperuar 100 për qind. “Majlinda me sugjerim timin fillon pas Botërorit. Lëndimet i kanë shkaktuar goxha telashe. Për Majlindën, por edhe për krejt ne, është me rëndësi Olimpiada në Tokio”, shtoi Kuka. Sidoqoftë, strategu i xhudos shpreson ta bëjë mrekullinë me Norën, Akilin ose edhe Lorianën, pasi Distria ka rënë nga opsioni. “Kemi gjasa reale për medalje, por konkurrenca është e tmerrshme në çdo kategori. Punën e kemi kryer në çdo detaj dhe u mbetet garuesve t’i kryejnë detyrat. Medalja do të ishte mrekulli, një sukses i jashtëzakonshëm. Deri tash vetëm Majlinda ka medalje nga Botërori për të rritur”, shpjegon trajneri pejan.

Distria dhe Nora deri tash e kanë plasman vendin e shtatë në Botërorin për seniore.

Botërori i Bakusë do të ketë domethënie të dyfishtë për garuesit kosovarë. Krahas peshës së medaljes, një sukses eventual do t’u sillte atyre edhe pikë për olimpike.

“Normalisht edhe pikët janë me rëndësi nga kjo garë, edhe pse për normë olimpike po besoj se do të kemi gara mjaft edhe në atë drejtim”, nënvizoi Kuka.