E vërteta për largimin e Bylbyl Sokolit, 'sondazhi Dumnica' dhe ‘kamera e fshehur’ me lojtarët!

Sport September 21, 2018 - 12:21
Detajet

Duket e pabesueshme ajo çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre ditëve tek Llapi.

Largimi i trajnerit Bylbyl Sokoli nga Llapi dhe mënyra se si erdhi deri tek largimi, është një skenar në të cilin vështirë se mund të kthehet atmosfera, pavarësisht se kryesia vendosi të vazhdojë me ‘profën’.

Gazeta Olle mëson ekskluzivisht gjithë ngjarjen e së mërkurës, që pasoi me largimin e Sokolit.

Pas stërvitjeve të mundimshme, maratonike dhe kritikave për lojtarët edhe pas ndeshjeve të fituara, përfshirë këtu edhe fitoren 5:1 ndaj Ferizajt, lojtarët kishin filluar të shprehnin paknaqësi të mëdha.

Duke parë këtë, kryetari i klubit, Nexhat Dumnica, vendos të bëjë një gjë të pazakontë. Ai fton për kafe Sokolin dhe pa dijeninë e lojtarëve fillon të kontaktojë lojtarët, duke krijuar sondazh me ta nëse janë të kënaqur me Sokolin apo jo. Në sondazhin e tij, lojtarët nuk janë në dijeni nëse ata po dëgjohen përmes interfonit nga trajneri i tyre Sokoli.

Lojtarët, më shumë se 90 për qind e tyre, flasin keq për Sokolin, duke shprehur paknaqësi të tyre dhe duke përkrahur largimin e tij, për çka trajneri i mirënjohur vendos të largohet.

Gazeta Olle prej dy ditësh ka kërkuar sqarime nga Nexhat Dumnica për largimin e Sokolit, por nuk ka marrë fare përgjigje. Gazeta ka kërkuar edhe nga drejtori sportiv, Tahir Batatina, i cili “topin” për deklarata ia hedhi Sokolit dhe Dumnicës, ndërsa pyetjeve nuk iu është përgjigjur as kapiteni i skuadrës, Hamdi Namani.

Sidoqoftë, mbrëmë Sokoli iu kthye punës tek Llapi, por vështirë se mund të gjejë harmoni tek lojtarët, të cilët dolën kundër tij.