Ballkani i motivuar sfidon ’89-shin

Sport September 21, 2018 - 10:51
Detajet

Xhiroja e gjashtë e Superligës së Kosovës në futboll do të nisë sot në Suharekë me ndeshjen Ballkani – Trepça ’89, shkruan "Zëri"

Forma e lartë e ekipit nga Suhareka dhe kërkimi i formës optimale të skuadrës nga Mitrovica e paralajmërojnë një përballje tejet interesante në mes tyre. Ballkani në këtë ndeshje hyn pas fitores së madhe të shënuar në Gjilan dhe pas një barazimi me vlerë ndaj Prishtinës, gjë që paraqet udhëtim të vështirë për Trepçën ’89.

Kjo e fundit kampionatin e ka nisur me ambicie për titull, por nuk po arrin ta gjejë një seri fitoresh. Mitrovicasit deri më tani e kanë shënuar veç një fitore krahas dy barazimeve e dy humbjeve duke e arritur kuotën e pesë pikëve, vetëm dy më pak sesa “ndërtimtarët”.

Ndërkohë, superpërballja e kësaj jave do të zhvillohet të shtunën në kryeqytet, ku kryesuesi Flamurtari e pret top-kandidatin për titull, Feronikelin. Me fitore eventuale mysafirët mund ta marrin kryesimin, por kuqezinjtë e synojnë surprizën e madhe tjetër të radhës për ta bindur veten se kanë kapacitet për ta ndjekur titullin. Flamurtari është i pamposhtur me 5 fitore e një barazim. Kurse, “Nikli” me tri fitore e dy barazime po ashtu ende nuk e ka shijuar humbjen./Zëri

Superliga – Java e 6-të

E premte

Ballkani – Trepça ’89         15.45

E shtunë

Flamurtari – Feronikeli       15.45

Liria – Llapi          15.45

KEK-u – Drenica 15.45

E diel

Drita – Prishtina   15.45

Ferizaj – Gjilani   15.45