Ronaldo: Biri im thotë se do të bëhet më i mirë se unë, ama s’mendoj që do t’ia dalë

Sport September 19, 2018 - 15:09
Detajet

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka bërë të ditur se do t’i pëlqente nëse djali i tij, Cristiano Jr, i ndjekë hapat a babait. Por, Ronaldo mendon se djali i tij do ta ketë të vështirë të jetë po aq i mirë sa është ai.

Cristiano Jr është duke u stërvitur me të rinjtë e Juventusit dhe është duke shkuar rrugës së babait të tij, pasi që synon që në të ardhmen të bëhet futbollist. Ai tashmë ka arritur të shënojë disa gola për U-9 e Juventusit, por Ronaldo kërkon edhe më shumë nga djali i tij, transmeton Gazeta Express.

“Shpresoj që Cristianinho do të bëhet si babai i tij. Ai thotë se do të bëhet edhe më i mirë se unë, por unë mendoj se do ta ketë të vështirë”, ka thënë portugezi në një intervistë me Bein Sports.

Ronaldo kishte folur për ngjashmërinë mes tij dhe të birit të vet edhe më parë. Këtë e kishte bërë në një intervistë me kompaninë DAZN, ku kishte thënë se djali i tij ia kujtonte veten kur ishte fëmijë.

“Ai është shumë garues, është si unë kur isha fëmijë. Atij nuk i pëlqen të humbasë, ai do të bëhet si unë. Dua që ai të bëhet futbollist pasi që ka pasionin e nevojshëm, është i shpejtë, ka teknikë dhe goditje të mirë, por nuk do t’i bëj presion”, kishte thënë Ronaldo.