Katër garuesit e Kosovës mësojnë kundërshtarët e Botërorit

Sport September 19, 2018 - 14:25

Eksperienca e Kosovës në Botërorin e xhudos, i cili do të mbahet nga 20 deri më 27 shtator në Baku të Azerbajxhanit do të nisë sot me Distria Krasniqin, shkruan Zeri.info.

Xhudistja pejane do të garojë në kategorinë 48 kilogramë dhe në rrethin e parë do të ketë punë me xhudisten nga Guatemala, Jacqueline Solis.

Nëse fiton këtë garë, në rrethin e dytë do të përballet me ukrainasen Daria Bilodid, e cila rrethin e parë e kaloi pa luftë.

Kurse, të shtunën (22 shtator) do të garojnë vëlla e motër.

Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë e ka kaluar rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë e pret fituesen e duelit në mes të marokenes Soumiya Iraoui dhe garueses nga Bregu i Fildishtë, Abzetta Zouleiha Dabonne.

Kurse, vëllai i saj, Akili po ashtu e kaloi rrethin e parë pa luftë dhe në atë të dytë do të ballafaqohet me garuesin nga Kepi i Gjelbër, Magner Mendes, që po ashtu kaloi tutje pa luftë.

Pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror do ta mbyllë Loriana Kuka, e cila do të garojë më 25 shtator në kategorinë 78 kilogramë.

Edhe xhudistja pejane e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytë do të përballet me sllovenen Klara Apotekar, që gjithashtu kaloi në rrethin e dytë. /Zëri/