Kabashi si Iniesta

Sport September 19, 2018 - 11:36
Detajet

Dikujt më shumë e dikujt më pak, të gjithëve u është dashur të kalojnë barriera gjatë jetës së tyre. Por rasti i Labinot Kabashit duket mjaft i veçantë. Ai ka vetëm 18 vjeç mbi supet e tij, por ka kaluar nëpër disa momente shumë të vështira, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Që prej largimit të familjes së tij nga Kosova për shkak të luftës që po zhvillohej aty e deri te tejkalimi i lëndimeve të rënda si lëndimi i ligamenteve të të dy gjunjëve dhe të miniskusit të gjurit të majtë. Dhe nëse thuhet që e rëndësishme nuk është se sa herë rrëzohemi, porse sa herë ngrihemi, atëherë ai është specialist i kësaj.

Gjatë viteve të para jeta e tij pati ndryshime të vazhdueshme

Ai lindi në Finlandë. Prej moshës 3 deri në 6-vjeçare ai jetoi në Kosovë. Pastaj u kthye në Finlandë dhe kur ishte 8-vjeçar prindërit e tij vendosën që së bashku me vëllain e tij më të madh të ndërrojnë banim dhe të shkojnë në Sallent, në regjionin Bages.

Sallent ishte vendi ku ai filloi të luante

Ishte pikërisht Sallenti vendi ku ai filloi të luante në nivelin e të rinjve. Ai qëndroi aty për një vit, ndërsa një tjetër vit e kaloi te Gimnàstic de Manresa dhe prej aty më pas shkoi te ekipi i të rinjve të Barcelonës dhe trajner e kishte Alex Gomezin. Që prej momentit të parë njerëzit panë te Labinoti aftësi të larta teknike dhe cilësi të veçantë. Për shumëkënd ai është lojtari me teknikën më të mirë në akademinë e Barcelonës. Gjithashtu që prej momentit të parë askush nuk mundi t’i evitonte krahasimet. “Ka shumë ngjashmëri me Andres Iniestan”, kështu i thonë njëri-tjetrit trajnerët e akademisë së klubit katalonjas. Krahasimet shpeshherë duken ekstreme, por një gjë mund të thuhet: do të jetë shumë e vështirë që ai të arrijë nivelin e Iniestas, por nëse Kabashi e ka një referencë në futboll, atëherë ai është “Don Andres”.

Përderisa jeta nuk mund t’i ketë vetëm vështirësitë e saj, Labi ka pasur edhe momentet e lavdisë së tij. Njëra prej këtyre momenteve është kur ai u ftua nga përfaqësuesja e sapolindur e Kosovës në moshën 16-vjeçare. Një arritje e madhe dhe një befasi për futbollistin, i cili pritet të jetë pikë referuese për ekipin A të të rinjve të Barcelonës në vitin e ardhshëm. Futbolli është shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka në jetë. Për këtë Labinotit kur ka kohë të lirë i pëlqen që të luajë pingpong dhe tenis, edhe pse nuk është se i luan aq mirë këto dy sporte, sidomos tenisin./Zëri