Sytë kah Prishtina

Sport September 19, 2018 - 10:59
Detajet

Mbrëmja e së mërkurës do ta sjellë një ndeshje shumë interesante të futbollit, e cila pritet të shndërrohet në spektakël. Në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës prej orës 18:00 Prishtina dhe Gjilani do ta zhvillojnë ndeshjen e mbetur të xhiros së parë të Superligës së Kosovës, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Kjo ndeshje pritet të mbledhë numër të madh të shikuesve në tribunat e stadiumit të kryeqytetit, ku shikueshmëria ka nisur të kthehet pas rinovimit të tij, në të cilin futbolli tani po luhet nën ndriçimin e reflektorëve.

Prishtina dhe Gjilani e kanë vetëm një pikë dallim pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Bardhekaltrit me dy fitore e një barazim kanë arritur kuotën e 8 pikëve, kurse gjilanasit i kanë 7 sosh me dy fitore.

Të dyja ekipet në këtë takim hyjnë nën presionin për t’iu kthyer fitoreve pas humbjeve të pësuara në ndeshjet e fundit kampionale. Gjithsesi, bardhekaltrit janë në presion më të madh, pasi si kandidatë për titull të kampionit, së fundmi ata e zhgënjyen shumë tifozerinë kur barazuan pa gola me Ferizajn, përballë të cilit luajtën tejet dobët, shumë larg lojës që duhet ta tregojë një kandidate për titull siç është Prishtina.

Pa presion nuk është as Gjilani, i cili së fundmi humbi para tifozëve të vet 1:3 nga Ballkani. “Skifterët” kanë paralajmëruar udhëtim masiv drejt kryeqytetit për ta përkrahur Gjilanin që t’u kthehet fitoreve, kurse “Plisat” janë mobilizuar për ta mbushur sa më shumë tifozë stadiumin për të dëshmuar se nuk u ka humbur shpresa për titull dhe për t’ia bërë me dije ekipit të tyre se kryeqyteti e do titullin e kampionit me çdo kusht në këtë stinor.

Në rast fitoreje, Prishtina do t’i afrohej në dy pikë kryesuesit Flamurtarit, kurse barazimi dhe humbja do t’i krijojnë probleme psikologjike para derbit të madh që do ta zhvillojë të dielën në Gjilan si mysafire e Dritës. Në anën tjetër, kjo ndeshje vlerësohet si një sprovë e vërtetë për Gjilanin për të treguar nëse ka kapacitet për ta ndjekur titullin e kampionit, të cilin sivjet e kërkojnë Feronikeli, Llapi, Prishtina, Trepça ’89, Drita e me shumë gjasë edhe Flamurtari.

Për Prishtinën dhe Gjilanin po ndodh një orar i ngjeshur pasi të dyja ekipet kanë luajtur në fundjavën e kaluar, luajnë sërish sot, për të vazhduar me ndeshje edhe në fundjavën e ardhshme./Zëri