Liverpooli e fiton spektaklin

Sport September 18, 2018 - 22:55
Detajet

Liverpooli ka triumfuar në kryendeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve, transmeton zeri.info

Klubi anglez korri fitore me rezultatin 3:2 ndaj Paris Saint-Germainit.

Ndeshja ishte e hapur prej fillimit dhe të dyja skuadrat prodhonin raste për shënimi. Ishte Liverpooli ai që gjeti golin e parë përmes Daniel Sturridges në minutën e 30-të. Ndërkohë që klubi anglez arriti edhe ta dyfishojë epërsinë pas vetëm gjashtë minutave me anë të James Milnerit (36’), i cili realizoi nga penalltia.

Por, pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, parisienët arritën që ta ngushtonin rezultatin në 2:1 falë golit të Thomas Meunier (40’).

Spektakli në “Anfield” vazhdoi edhe në pjesën e dytë, por për golin e radhës u desh të pritej deri në minutën e 83-të, kur Paris Saint-Germaini e barazoi rezultatin me anë të sulmuesit Kylian Mbappe.

Por, derisa dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, në skenë doli Roberto Firmino në minutën e 92-të, për t’i dhënë epilogun përfundimtar takimit.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Napoli është ndalur në barazim pa gola 0:0 ndaj Crvena Zvezdas./Zëri