A do të jetë gati Katari për organizimin e Kupës së Botës 2022?

Sport September 18, 2018 - 15:08
Detajet

Më përfundimin e Kupës së Botës “Russi 2018”, mund të thuhet se kanë nisur përgatitjet për eventin e ardhshëm madhor, që do të zhvillohet në vitin 2022 në Katar, vend që e fitoi të drejtën e organizimit pas një procesi kontrovers, me akuza të shumta për korrupsion. Katari, që ka nisur prej 8 vitesh të mendojë për Botërorin e 2022-shit, po shfaq probleme serioze në fushën e ndërtimit.

Ky vend ka dërguar më shumë se 100 ekspertë të fushave të ndryshme në “Russi 2018”, për të marrë mësime sesi mund të organizohet një Botëror, ose më saktë, si mund të priten me dhjetëra mijëra tifozë, turistë, transmetues televizivë dhe personazhe të rëndësishme në kryeqytetin Doha.

Katari dhe FIFA ende nuk kanë vendosur përfundimisht nëse në këtë turne do të marrin pjesë 48 skuadra, apo do të mbetet me 32.

Vendimi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në numrin e hoteleve që qyteti duhet të ketë në dispozicion, të rrugëve të aksesueshme, por edhe tek infrastruktura e furnzimit me ujë dhe energji elektrike.

Katari akualisht po ndërton 4 stadiume (FIFA thotë se ka në plan të ndërtojë 9 impiante) dhe sipas specialistëve të FIFA-s punimet po vijojnë sipas parashikimeve.

Ka patur kritika të shumta për kushtet e punës, trajtimin e punëtorëve emigrantë në zbatimin e projekteve në vitet e fundit. Problemi shumë i rëndësishëm i tempreaturave të larta u zgjidh me zhvillimin e Botërorit në dimër.

Doha, që fillimisht kishte parashikuar një buxhet prej 20 miliardë dollarësh për infrastrukturën, e përgjysmoi atë gjatë vitit të kaluar. Por kjo ndërhyrje nuk do të ndikojë te punimet, sepse, sipas zyrtarëve të lartë në Katar, buxheti fillestar ishte shumë më i lartë nga sa nevojitej.

Mbetet enigmë numri i tifozëve që mund të presë ky vend gjatë Botërorit. Doha nuk është Moska. As në termat e përmasave dhe as në atë që u ofron fansave. Alkooli në këtë vend lejohet vetëm në hotele të veçanta. Nuk ekzistojnë baret dhe klubet e natës, të paktën jo zyrtarisht. Ka restorante, por e vështirë të përballojnë kaq shumë vizitorë.

Ndryshe nga Russia, me qytete të mëdha si Moska dhe Sochi, Katari nuk është ende një destinacion turistik, për të mos thënë që është tmerrësisht i mërzitshëm. Kushdo që ka planifikuar të udhëtojë për të ndjekur nga afër Kupën e Botës 2022, duhet të ketë parasysh që nuk mund t’i ofrohet paketa e Moskës. Madje ata që mendojnë se mund të përfshijnë edhe Dubain apo Arabinë Saudite në pelegrinazhin futbollistik, do ta gjejë veten në një fushë të minuar diplomatike.

Ka kaluar një kohë relativisht e shkurtër që kur Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën bojkotin ekonomik ndaj Katarit. Lidhjet tokësore dhe ajrore mes këtyre vendeve dhe Katarin thuasje nuk ekzistojnë. Qatar Airways ka qenë i detyruar të anulojë me dhjetëta fluturime dhe të përgjysmojë destinacionet për udhëtarët.

Trafiku detar gjithashtu pësoi një goditje të rëndë dhe të gjitha importet tani vijnë përmes Iranit ose Turqisë, ose nëpërmjet një udhëtimi të gjatë në det në Gjirin Persik. Kjo ka ndikuar në rritjen e frikshme të shpenzimeve për ndërtimin e infrastrukturës së Katarit për Kupën e Botës.

Bllokada synonte ta detyronte Dohën të ndryshonte politikat e saj: t’i jepte fund aleancës së saj me Iranin dhe të ndalonte mbështetjen e Vëllazërisë Myslimane.

Katari ka bërë kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i akuzuar se kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare. Po përpiqet gjithashtu që FIFA të ushtrojë presion ndaj Riadit për të ndaluar etiketimin e Katarit si një sponsor shtetëror i terrorizmit.

Arabia Saudite ka në plan ta zëvendësojë kufirin tokësor me Katarin me një kanal 60 kilometra (gati 40 milje) të gjatë, 200 metra të gjerë dhe 20 metra të thellë. Kanali do të ishte tërësisht në territorin saudit, kështu që Katari nuk do të jetë në gjendje të pretendojë se sovraniteti i tij është shkelur.

Arabia Saudite deri më tani nuk është në gjendje të zgjidhë krizën dhe konfliktet në Lindjen e Mesme me anë të mjeteve diplomatike. Me një investim prej 750 milionë dollarësh, ajo kërkon të përfundojë izolimin e Katarit. Muajin e kaluar hapi tenderin për hapjen e kanalit dhe së shpejti do të njoftojë kompaninë fituese.

Këtë zgjidhje po përpiqen ta aplikojnë edhe në Rripin e Gazës. Disa vjet më parë, muzeu komunal i Petah Tikva hapi një ekspozitë interesante që e tregonte Gazën si një ishull në det, i ndarë plotësisht nga Izraeli.

Duket e pamundur që Arabia Saudite ose Izraeli ta realizojnë ëndrrën e tyre, por precedenti historik që po fillon të marrë formë në Gjirin Persik mund të eksportohet në vende të tjera.