Yjet e rinj të Championsit

Sport September 18, 2018 - 14:05
Detajet

Si çdo edicion, edhe në këtë sezon të ri Liga e Kampionëve pritet t’i sjellë futbollit evropian yje të rinj. Kompeticioni më prestigjioz evropian për klube fillon sot, ndërsa ne ua sjellim dhjetë yjet e rinj që pritet të shpërthejnë në këtë kompeticion, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Edicioni i ri i Ligës së Kampionëve pa dyshim që pritet t’i sjellë yje të rinj futbollit evropian. Kompeticioni më prestigjioz evropian për klube fillon sot, ndërsa “Goal.com” sjell 10 futbollistët më të talentuar nën moshën 23-vjeçare që pritet të shpërthejnë këtë edicion në këtë garë.

Dani Ceballos (Real Madrid)

“Besimi i trajnerit të jep energji për të luajtur mirë. Lopetegui ma ka dhënë atë besim”, ka deklaruar Ceballos në muajin e kaluar. Ndikimi ishte i qartë. Ceballos nuk e kishte pasur besimin e plotë të ish-trajnerit të madrilenëve Zinedine Zidane, i cili e përdori mesfushorin vetëm 12 herë në La Liga gjatë edicionit të kaluar. Spanjolli ende e ka Luka Modricin, Casemiron dhe Toni Kroosin para tij, por Mateo Kovacic tashmë është larguar dhe Ceballos pritet të ketë më shumë paraqitje në këtë edicion. Nëse ai me të vërtetë e rikthen besimin te vetvetja ne do ta shohim ish-yllin e Betisit duke prodhuar magji, ashtu siç kishte bërë në Kampionatin Evropian U-21 në vitin e kaluar.

Frenkie de Jong (Ajax)

Ajaxi është kthyer në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej sezonit 2014/2015, por jo të gjithë ishin të lumtur në ndeshjet e “Play-Off”-it, kur holandezët e mposhtën Dynamo Kyivin. Kualifikimi i Ajaxit në Ligë të Kampionëve shoi shpresat e Barcelonës për të nënshkruar me De Jongun gjatë afatit kalimtar të verës. Katalonjasit e kishin objektiv 21-vjeçarin, i cili është ftuar së fundmi nga ekipi kombëtar i Holandës. “Ndoshta një ditë do t’i bashkohem Barcelonës, por jo këtë edicion. Mendoj se do të jetë një vit i mirë për Ajaxin. Tani ne do të shohim se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, deklaroi ai.

Phil Foden (Manchester City)

Më 13 maj, atëkohë 17-vjeçar, Foden u bë futbollisti më i ri që merr një medalje të Premierligës, pas pesë paraqitjeve të tij gjatë edicionit të kaluar me Manchester Cityn. Mesfushori i zhdërvjellët dhe më shumë finesë pritet të ketë një rol më të madh këtë edicion. “Ai ishte i gatshëm për ekipin e parë vitin e kaluar, por tani ai është një vit më i pjekur”, kishte deklaruar Pep Guardiola.

Willem Geubbels (Monaco)

Rrallëherë mund të ketë bujë të madhe për një lojtar që ka luajtur aq pak në nivelin e seniorëve. Geubbles luajti vetëm 87 minuta lojë në edicionin e kaluar për Lyonin, por duke e bërë këtë sulmuesi 16-vjeçar u bë lojtari i parë i lindur në shekullin e 21-të që luan në ligën franceze dhe në Ligën e Evropës. Monacos i pëlqeu ajo çfarë kishte parë dhe këtë verë pagoi 20 milionë euro për të mposhtur garën e klubeve më të mëdha të Evropës. Geubbles do të shfrytëzohet me masë, por Monaco beson se ka në duart e tij një tjetër Kylian Mbappe.

Goncalo Guedes (Valencia)

Guedes ishte i mirë në edicionin e kaluar, shumë i mirë për Valencian. Pasi që e kishte marrë portugezin në huazim nga Paris Saint-Germaini Valencia shqetësohej se klubi francez do të kërkonte shumë para ose një klub tjetër do të nënshkruante me 21-vjeçarin. Fatmirësisht për Valencian ata arritën që të paguanin 40 milionë për lojtarin. Tani ai dëshiron të shpërthejë në Ligë të Kampionëve.

Justin Kluivert (Roma)

Ka shumë pak gjetës të talenteve siç është Monchi dhe drejtori sportiv i Romës nuk ka dyshim se ai ka bërë një supertransferim me nënshkrimin e Kluivertit nga Ajaxi për 17 milionë euro. “Mendoj se Justin tashmë është njëri prej lojtarëve të rinj më ngazëllues në futbollin evropian. Për shkak të kësaj nuk ishte e lehtë që ta sillja atë te Roma para një numri të madh të klubeve”, ishte shprehur Monchi. Ai mund të ketë ndikimim të madh për gjysmëfinalistin e edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve.

Hirving Lozano (PSV)

Pavarësisht interesimit të Barcelonës për shërbimet e Lozanos pas shkëlqimit të tij në Kupën e Botës PSV-ja ia arriti që ta mbajë reprezentuesin meksikan. Ndoshta pa të ata nuk do të arrinin të futeshin në grupet e Ligës së Kampionëve me 23-vjeçarin që kishte realizuar në dy ndeshjet e “Play-Off”-it ndaj BATE Borisovit. Sidoqoftë, mbetet e paqartë se sa do të mbetet ai në Eindhoven.

Malcom (Barcelona)

Malcomi ishte ylli i një përralle dramatike gjatë verës, me rrëfim të premtimeve të thyera, hakmarrjes dhe armiqësive. Pasi që ishte pajtuar t’i bashkohej Romës nga Bordeaux, braziliani dhe menaxheri i tij nuk hipën në aeroplanin drejt Italisë për shkak se Barcelona e kishte rrëmbyer transferimin në orën 23:00. Përfaqësuesi i Malcomit, Leonardo Cornacini, pohoi se ishte një hakmarrje për shkak se romakët kishin arritur një marrëveshje për një lojtar tjetër me një menaxher rival, ndërkohë që Roma e kërcënoi me padi Bordeauxin. Tani presioni është te Malcomi për të treguar se pse u hyri Barcelona këtyre telasheve.

Jadon Sancho (Borussia Dortmund)

Manchester City ishte me arsye e zemëruar në vitin e kaluar me humbjen e Jadon Sanchos, që shkoi te Borussia Dortmundi dhe Pep Guardiola e pranoi se sulmuesi ishte një talent i madh. Klubi anglez mori 8 milionë euro për atëkohë 17-vjeçarin, por tani i ka rënë pishman për lojtarin, i cili është bërë anglezi më i ri që shënon në histori të Bundesligës. Sancho është duke u menaxhuar me kujdes nga klubi gjerman, por ai e ka filluar edicionin e ri mjaft dhe dëshiron ta ndihmojë klubin edhe në Ligën e Kampionëve.

Timothy Weah (Paris Saint-Germain)

Të pasurit një baba të famshëm t’i hapë dyert, por gjithashtu mund të jetë një përgjegjësi e madhe, sidomos për një adoleshent që dëshiron të bëjë emër me njërin prej klubeve më të mëdha në botë. Sidoqoftë, sulmuesi i Paris Saint-Germainit Weah po e bën këtë gjë të duket e thjeshtë. Reprezentuesi i Shteteve të Bashkuara, që është djali i legjendës liberiane George, ka qenë në një formë sensacionale për klubin francez gjatë verës, duke impresionuar në “International Champions Cup”, ndërsa e gjeti edhe golin e tij në ligën franceze ndaj Caenit. Një sulmues i zhdërvjelltë me shpejtësi dhe me qetësi para golit, ai duket se do të behët një yll në të ardhmen./Zëri