Ja cilat ndeshje do të zhvillohen sot në Champions

Sport September 18, 2018 - 12:25
Detajet

Liga e Kampionëve do të hapë sot edicionin e ri të saj me disa superndeshje. Vëmendja më e madhe pa dyshim që pritet të jetë në “Anfield” në sfidën mes Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit. Por, sfidë interesante pritet të zhvillohet edhe në “Giuseppe Meazza”, ku Interi i rikthyer në këtë kompeticion pas plot pesë vjetësh mungesë do ta presë Tottenhamin, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Me risi, me superndeshje dhe me shumë entuziazëm do të fillojë sot edicioni i ri i Ligës së Kampionëve. Kompeticioni më prestigjioz evropian për klube, që këtë vit vjen me disa ndryshime sa u përket orareve të ndeshjeve, do të sjellë edhe shumë ndeshje interesante gjatë fazës së grupeve.

Vëmendja më e madhe pa dyshim që do të jetë në “Anfield” në ndeshjen mes Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit. Dy prej ekipeve që bëjnë pjesë në mesin e favoritëve për të fituar këtë edicion të Ligës së Kampionëve do të duhet të luftojnë se pari mes vete në fazën e grupeve. Të dyja klubet kanë pasur ecuri fenomenale deri më tani në ligat e tyre përkatëse, duke fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Dy klubet do të takohen mes vete për herë të parë që prej edicionit 1996/1997 në Kupën e Fituesve të Kupave, ndeshje të cilën e kishte fituar klubi francez me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Layvin Kurzawa dhe Dani Alves do t’u mungojnë francezëve në këtë sfidë, ndërsa te Liverpooli pritet të mungojnë Dejan Lovren dhe Adam Lallana. Në dyshim mbetet edhe prezenca e sulmuesit Roberto Firmino, shkruan "Zëri"

Trajneri i parisienëve, Thomas Tuchel, e ka lavdëruar Liverpoolin, duke thënë se është njëri prej klubeve favorite për të fituar Ligën e Kampionëve. Ka shumë favoritë dhe Liverpooli është njëri prej tyre”, u shpreh Tuchel. “Është shumë e rëndësishme që të kesh përvojë në një ambient të tillë. Dhe PSG-së i mungon kjo gjë, është e qartë. Kur nuk e keni ju jeni më shumë sfidues sesa favorit. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë. Sigurisht PSG-ja ka lojtarë të mëdhenj, kështu që nuk është sfidë e njëjtë si me një ekip siç është Dortmundi. Por, në Ligë të Kampionëve ju përballeni me skuadra të suksesshme dhe ne duhet të shkojmë hap pas hapi”, shtoi ai. “Ne do të mundohemi të jemi gati për PSG-në. Ne po përgatitemi, por ata janë shumë të mirë, kanë një projekt interesant dhe i kanë pushuar dy lojtarët kyç të premten”, ka deklaruar në anën tjetër trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp.

Interesant edhe në “Giuseppe Meazza”

Interi do të rikthehet të luajë në Ligën e Kampionëve pas plot pesë vjetësh mungesë ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë si Tottenhami. Klubi zikaltër nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë edicionin e ri, ndërsa në fundjavën e shkuar u mposht 1:0 në shtëpi nga Parma. Ndërkohë në anën tjetër edhe Tottenhami nuk ka treguar formë javëve të fundit, duke u mposhtur në dy xhirot e fundit të Premierligës. Kjo do të jetë ndeshja e pestë mes dy skuadrave, ndërsa në katër ndeshjet e kaluara nga dy fitore i kishin takuar secilit ekip. Duke e parë grupin e vështirë, në të cilin bën pjesë edhe Barcelona, pa dyshim që fitorja do t’i bënte një punë të madhe secilës skuadër./Zëri

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi A

21:00 Club Brugge – B. Dortmund

21:00 Monaco – A. Madrid

 

Grupi B

18:55 Barcelona – PSV          

18:55 Inter – Tottenham        

 

Grupi C

21:00 Crvena Zvezda – Napoli          

21:00 Liverpool – PSG          

 

Grupi D

21:00 Galatasaray – Lokomotiva M.

21:00 Schalke – Porto