Nuk ua deshi në qendër, po ua do në lagje!

Sport September 18, 2018 - 10:31
Detajet
Image

Vetëm para pak muajsh përjetonte krizë të madhe të rezultateve dhe luftonte kundër rënies nga Superliga, ku mezi ishte kthyer prej Ligës së Parë. Ndërsa tani Flamurtari po mendon shumë seriozisht që t’ia mësyjë titullit të kampionit të Kosovës, të cilin trofe nuk e ka fituar asnjëherë në historinë e vetë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Pas pesë xhirove të para të kampionatit të ri Kuqezinjtë kanë bilancin më të mirë me katër fitore rresht dhe një barazim të vlefshëm, që e nxorën së fundmi si mysafirë të Llapit, top-favoritit për titull, ekip ky që ka shpenzuar para të mëdha në transferimin e yjeve të mëdhenj.

Flamurtari nuk ka siguri financiare siç kanë kandidatët e tjerë, si Drita, Llapi, Feronikeli, Prishtina ose Trepça ’89. Ka shpenzime shumë më të vogla, siç ka edhe fond më të vogël me futbollistë, të cilin ka ditur ta kompletojë në mënyrën më të mirë trajneri Arsim Thaçi, i cili te “Xhemail Ibishi” shkoi me disa futbollistë që nuk i duheshin Prishtinës ose edhe klubeve të tjera, por me të cilët po e bën mrekullinë në këtë fillim të kampionatit të ri.

“Ndeshjen e radhës do ta zhvillojmë si vendas kundër Feronikelit, një kandidati shumë të madh për titull. Nëse e kalojmë me sukses edhe këtë sfidë atëherë ne do t’ia mësyjmë titullit të kampionit vjeshtor, në mënyrë që pas pushimit dimëror të bëhemi edhe më të fortë për ta kërkuar titullin seriozisht në stinorin pranveror. Pra, pas ndeshjes me Feronikelin do t’i kemi të qarta prioritetet tona”, tha për “Zërin” ish-trajneri i Prishtinës e tani i Flamurtarit, Arsim Thaçi.

Sipas tij, para fillimit të kampionatit prioritet i Flamurtarit ishte krijimi i një ekipi solid për t’u përballuar me sukses me kundërshtarët elitarë. Por papritmas ambiciet gradualisht po rriten.

“Ta them të drejtën: në Flamurtar kam ardhur me ambicie solide. Por, dëshira për punë dhe për rezultate na kanë sjellë në këtë pikë. Ne jo që jemi brenda objektivave tona fillestare, por i kemi tejkaluar ato”, theksoi Thaçi.

“Veton Kabashi është shtylla e mbrojtjes. I kam marrë në Flamurtar mbrojtësit anësorë që nuk i duheshin Prishtinës, Gentrit Dumanin dhe Lorik Maxhunin. Po ashtu e kam kthyer në Kosovë Benash Quansah, i cili e kishte veç një paraqitje me Prishtinën. Kurse tani kur e kam kthyer në Flamurtar paguhet 50 për qind më pak sesa në Prishtinë dhe është bërë ndër mbrojtësit më të mirë në Superligë”, tregon Thaçi.

“E kam marrë portierin Flamur Neziri, i cili shkëlqeu me Llapin. Në Llap i kam marrë Agron Bruqin dhe Arbnor Zeriqin, që po kryejnë punë të madhe në Flamurtar. Pra nuk kam marrë emra, por kam identifikuar lojtarë që kam qenë i bindur se mund të më ndihmojnë te Flamurtari dhe ja rezultatet”, theksoi ai./Zëri