Historia e dhimbshme e kampionëve

Sport September 18, 2018 - 10:28
Detajet
Image

Historia e futbollit kosovar i njeh veç tri klube që janë shpallur kampionë dhe në sezonet pasuese kanë arritur ta mbrojnë titullin. Ato janë Prishtina, Besa dhe Feronikeli. Gjashtë ish-nënkampionë të tjerë kishin zhgënjyer në sezonet pasuese. Të njëjtën gjë po e bën sivjet Drita. Kampionia e edicionit të kaluar sezonin e ri e ka nisur me vetëm një fitore e katër humbje. Prej nëntë kampionëve të pasluftës në Superligën e sotme gjenden vetëm katër prej tyre – Prishtina, Feronikeli, Drita dhe  Trepça ’89. Tre ish-kampionë të tjerë, Besa, Vushtrria dhe Trepça, sot gjenden poshtë, në Ligën e Parë. Kurse dy të tjerë nuk ekzistojnë. Hysi e Besiana janë shuar moti, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Prishtina, Besa, Feronikeli, Drita, Trepça ’89, Vushtrria, Trepça, Hysi dhe Besiana janë nëntë skuadrat që kanë fituar tituj të kampionit në 19 kampionatet e organizuara në Kosovën e pasluftës. Prishtinasit e kanë fituar shtatë herë titullin, pejanët tri herë dhe drenicasit e gjilanasit nga dy herë. Të tjerat vetëm nga një herë.

Njëherësh Prishtina, Besa dhe Feronikeli janë ekipet e vetme që kanë arritur ta mbrojnë titullin. Madje deri në tri herë. Kurse ekipet e tjera, përpos që nuk ia kanë dalë ta mbrojnë, në kampionatet pasuese kanë pësuar rënie drastike. Bile dy ish-skuadra kampione tashmë nuk ekzistojnë. Fjala është për Hysin e Besianën. Të dyja këto klube llapjane janë shuar. Kurse ekipet e tjera si Vushtrria e Trepça garojnë në Ligën e Parë. Atje poshtë ka rënë së fundmi edhe skuadra e dytë më e trofeshme në vend, Besa, shkruan "Zëri"

Ndërsa së fundmi tatëpjetë të madhe ka marrë edhe Drita. Madje kjo e fundit çudit më së shumti. Kjo për faktin se klubi gjilanas si kampion i kampionatit të kaluar u kualifikua në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, prej të cilit në Kosovë u kthye me rreth 1 milion euro. Përkundër këtyre të hyrave, ruajtjes së futbollistëve kryesorë, me të cilët u shpall kampion në sezonin e kaluar, në sezonin pasues Drita lëre që nuk po jep shpresë për mbrojtje të titullit, por tifozët tashmë po i frikësohen më të keqes.

Pas pesë xhirove të para të kampionatit të ri kampionia në fuqi i ka fituar vetëm tri pikë përmes një fitoreje të vetme ndaj KEK-ut. Ndërsa i ka pësuar pesë humbje të tjera, secilën më të rëndë sesa tjetrën, shkruan “Zëri”

Në ndërkohë, në brendësi të klubit kanë filluar çarjet pas largimit të trajnerit Bekim Isufi, me të cilin janë shumë të ndërlidhura sukseset e sezonit të kaluar. Madje Kërçeli nga Drita iku duke shprehur pakënaqësi me problemet që kanë kërcitur brenda klubit. “Kohëve të fundit me ardhjen e disa njerëzve joprofesionalë mendoj se situata më ka dalë prej kontrolli dhe nuk po mund ta jap kontributin tim siç kam bërë deri më tani”, thuhej në dorëheqjen e tij.

Murseli: Drita në duar të sigurta

Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Dritë ka reaguar edhe kryetari Valon Murseli, u është drejtuar tifozëve me një shkresë nga larg, pasi aktualisht nuk ndodhet në Gjilan. Murseli është munduar t’ua kthejë shpresën “Intelektualëve”.

“Më vjen shumë keq që në këto momente nuk jam fizikisht në mesin e stafit, të lojtarëve dhe të të gjithë juve që së bashku, jo shumë larg nga sot, festuam dhe u gëzuam në momentet historike që nuk do të harrohen kurrë”, thuhet në shkresën e tij.

“Ne e realizuam vetëm një hap drejt ëndrrës të cilën e kemi, të shohim Dritën të fortë, konkurruese dhe ekip shumë të respektuar brenda dhe jashtë Kosovës. Fanella e klubit peshon rëndë, këtë e dinë të gjithë. Çdokush që është i kënaqur nga ajo që e arritëm dje e nuk ka motiv të derdhë djersë sot le ta dijë se nuk ka vend në mesin tonë”, ka theksuar ai. Murseli thotë se faji për gjendjen në të cilën ka ardhur Drita është i të gjithëve, pa e përjashtuar as veten.

“Askush nuk e do suksesin e Dritës më shumë se ne, që nuk kursejmë asgjë dhe sakrifikojmë gjithçka. Jam munduar që të krijoj kushte optimale të punës për stafin dhe mbështetje racionale e të meritueshme për lojtarët. Unë u kam qëndruar pas fjalëve të mia. Ne si individë shkojmë e vijmë, por Drita do të mbetet përgjithmonë”, shkruan ai.

“Kërkoj nga të gjithë tifozët që thellësisht e ndiejnë dashurinë për klubin ta mbështesin ashtu siç kanë vepruar gjithmonë. Pas të gjithë atij suksesi klubin e kapi euforia dhe vetëkënaqësia. Do të kthehemi shumë shpejt të disiplinuar dhe me përgjegjësi. Nuk do ta lejoj askënd të luaj me ndjenjat tona. Nga java e ardhshme pres reflektim ndaj situatës dhe vazhdimësi të asaj që lamë pas në kampionatin e kaluar. Sidoqoftë, ata që e duan Dritën po si ne të qëndrojnë të qetë, sepse klubi është në duar të sigurta”, thuhet në fund të shkresës së Murselit./Zëri