Sport

Flamurtari befason Llapin e yjeve të shtrenjta

Flamurtari befason Llapin e yjeve të shtrenjta
16 shtator 2018 • 18 : 01

Detajet

Mrekullia e Flamurtarit ka vazhduar edhe në xhiron e pestë. Skuadra kuqezi e ka nxjerrë një pikë të madhe nga udhëtimi i vështirë në Podujevë, ku luajti pa gola me Llapin, i cili ka bërë investime të mëdha për titull. Kuqezinjtë vazhdojnë ta mbajnë kryesimin, derisa FC Prishtina “ka kiksuar” keq në duel me Ferizajn, i cili ka dalë i pamposhtur nga kryeqyteti. Një pikë e ka nxjerrë edhe Drenica si mysafire e kandidates tjetër për titull, Trepçës ’89. Kjo javë ishte fatlume për Feronikelin, i cili e ka deklasuar kampionen, Dritën, 4:0, shkruan zeri.info

Investimet e mëdha që i ka bërë për titull e as përparësia e terrenit nuk i kanë ndihmuar Llapit për ta ndalur mrekullinë e Flamurtarit, i cili në sezonin e kaluar mezi pati mbijetuar në Superligë. Kuqezinjtë e kanë kaluar xhiron e pestë të Superligës së futbollit pa pësuar humbje dhe njëkohësisht e kanë ruajtur kryesimin që e kanë marrë nga xhiroja e parë. Derbi i madh në mes të këtyre dy skuadrave ka përfunduar pa fitues dhe pa gola, gjë që konsiderohet sukses i madh për Flamurtarin dhe dështim për Llapin. Ky i fundit ka dominuar në mbajtje të topit dhe ka bërë përpjekje ta fitojë lojën përmes yjeve të dalluar të futbollit kosovar që i ka në skuadër. Por qëllimin e ka arritur Flamurtari duke dalë i pamposhtur nga Podujeva, ku një herë e ka qëlluar edhe shtyllën.

Image

Feronikeli “fik” Dritën

Feronikeli ia “ka terruar” kampiones në fuqi. Ekipi nga Drenasi e ka shfrytëzuar maksimalisht përparësinë e terrenit duke e mposhtur Dritën me rezultat bindës, 4:0. Mendurim Hoti dhe Kastriot Rexha me nga dy gola të shënuara ia dhanë ekipit të tyre fitoren e tretë sezonale, krahas dy barazimeve, kurse Dritës ia shkaktuan humbjen e katër në pesë xhirot e para kampionale. Mirëpo, duhet theksuar se këtë fitore “Niklit” ia bëri të lehtë përjashtimi i dy lojtarëve mysafirë nga loja, Bujar Shabanit në minutën e 38-të dhe Viktor Kukës në minutën e 58-të. Katër golat vendasit i shënuan në pjesën e dytë.

Ferizaj befason Prishtinën që zhgënjeu fort

Befasi të madhe në xhiron e pestë të Superligës ka shkaktuar Ferizaj, i cili prej humbjeve të thella paraprake arriti ta nxjerrë një barazim midis kryeqytetit përballë kandidates së madhe për titull, FC Prishtinës. Përballja në mes tyre ka përfunduar pa gola. Ferizaj 90 minuta luajti me mbrojtje shumë të fortë, të cilën prishtinasit lëre që dështuan ta shpartallojnë, por befasuan për të keq me një lojë shumë të dobët përmes së cilës nuk arrinin të krijonin as shanse të rrjedhshme shënimi, duke e vënë në pikëpyetje kandidaturën e tyre reale për titull. Me dy fitore e dy barazime FC Prishtina e ka arritur kuotën e shtatë pikëve dhe e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Kurse Ferizajt i kthehet shpresa dhe tani i ka katër pikë të tubuara, shkruan "Zëri"

’89-shi dhe Drenica ndajnë pikët

Trepça ’89 nuk ka mundur ta mposhtë Drenicën, e cila e ka nxjerrë një pikë të vlefshme në Mitrovicë, ku luajti baras, 1:1. Vendasit kanë kaluar të parët në epërsi prej 1:0 përmes Marigen Shoshit në minutën e 3-të. Por, mysafirët e nxorën një penallti në minutën e 38-të, të cilën në gol e konkretizoi Taulant Dajaku duke barazuar në 1:1, të cilin rezultat kuqezinjtë e ruajtën deri në fund të takimit.

Ballkani feston midis Gjilanit

Një rezultat goxha befasues është prodhuar edhe në ndeshjen Gjilani – Ballkani. Ekipi i fortë gjilanas është mposhtur para tifozëve të vet nga mysafirët e Suharekës, madje bindshëm, 1:3. Golat e Visar Berishës, Jetmir Topallit dhe Egzon Shabanit prodhuan festë mysafire në Gjilan, ku vendasit e shijuan veç një gol të Vilfor Hysës. Me këtë fitore Ballkani e ka arritur kuotën e shtatë pikëve, sa ka edhe Gjilani, i cili në mesjavë do ta luajë ndeshjen e mbetur të xhiros së parë si mysafir i FC Prishtinës.

KEK-u pëson debakël në Prizren

KEK-u e ka pësuar humbjen e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara në Superligë. “Elektricistët” të dielën përjetuan humbje të madhe në Prizren nga Liria me rezultat 5:2. Nga dy gola të Fatih Karahodës e Qëndrim Gashit dhe nga një prej Liridon Fetahajt e Robert Gjerajt ia dhanë ekipit prizrenas fitoren e dytë sezonale. Kurse për ekipin mysafirë nga një gol e shënuan Treviol Stullqaku dhe Atdhe Grajçevci./Zëri

Superliga – Xhiroja e 5-të

Llapi – Flamurtari               0:0

Trepça ’89 – Drenica          1:1

Liria – KEK-u                       6:2

Prishtina – Ferizaj                0:0

Feronikeli – Drita                 4:0

Gjilani – Ballkani                                1:3

 

Tabela

Image

 

© zëri.info