Grezda flet pas debutimit me Rangers

Sport September 16, 2018 - 10:03
Lexo detajet

E shtuna mund të konsiderohet pozitive për legjionarët, që luajnë me ekipe të ndryshme në Europë.

Kështu në Skoci, pati një debutim të Eros Grezdës me skuadrën e Rangers. Sulmuesi i krahut i kombëtares kuqezi, u fut si zëvendësues në fushën e lojës në minutën e 77` të takimit, kur Rangers ishte duke e fituar ndeshjen me rezultatin 3-0 ndaj Dundee.

Ndonëse nuk pati kohën e mjaftueshme për të treguar vlerat e tij si futbollist, besimi i trajnerit Steven Gerard është i rëndësishëm për sulmuesin e sapotransferuar në Premiership.

Ndërkohë për debutimin e tij, Eros Grezda, ka lënë edhe një koment në profilin e tij në “facebook”, ku shkruan:

“Jam shumë i lumtur që debutova për Rangers. Një fitore e madhe para tifozëve të jashtëzakonshëm. Kjo ishte ndeshja ime e parë pas katër muajsh”-shkruan futbollisti kuqezi, që tashmë është pjesë e skuadrës së Rangers në Skoci. Me fitoren e të shtunës, Rangers ngjitet në kuotën e tetë pikëve në kampionat, duke ndjekur kryesuesit e Premiership, Hearts, Celtic dhe Livingstone.