Sarri, më i miri në mesin e fytyrave të reja të Premierligës

Sport September 14, 2018 - 13:18
Detajet

Maurizio Sarri është duke shkëlqyer në aventurën e tij të re te Chelsea. Në krahasim me trajnerët e rinj të klubeve të Premierligës, italiani e ka pasur fillimin më të mirë të edicionit. Unai Emery ka pasur fillim të luhatshëm, kurse jashtëzakonisht dobët ka startuar Manuel Pellegrini, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Janë plot shtatë trajnerë që kanë filluar punë të re në klubet e Premierligës angleze, katër prej tyre plotësisht të rinj në këtë ligë - Maurizio Sarri, Unai Emery, Nuno Espírito Santo dhe Slavisa Jokanovic – dhe tre të tjerë që kanë përvojë në ligën angleze, por kanë marrë drejtimin e klubeve të tjera.

Derisa këtë fundjavë kthehen përballjet e Premierligës, dy prej këtyre trajnerëve, Marco Silva dhe Manuel Pellegrini, do të takohen mes vete në “Goodison Park”. Ky i fundit tashmë është nën presion pas startit të dobët të edicionit.  

Por para se të flasim për zymtësinë e sezonit me të gjithë që janë në një periudhë testuese, e përditshmja angleze “The Guardian” sjell rezymenë se si trajnerët e rinj e kanë përballuar muajin e tyre të parë.

Sarri te Chelsea pa dyshim që e ka filluar me një paraqitje të mrekullueshme, duke grumbulluar maksimumin e pikëve pas katër javësh. Ky është lloj i fillimit që Chelsea e bënte kur ishte në garë për titull nën Jose Mourinhon dhe pa dyshim që i jep merita të mëdha trajnerit i cili nuk ka punuar kurrë jashtë Italisë dhe i cili ka një njohuri të vakët të anglishtes.

Merita i takon edhe bordit të Chelsea, që gjithashtu e dinin se mund të kishte hapësirë për gabime kur e ka zëvendësuar të suksesshmin Antoinio Conte, por duket se ata e kanë kryer mirë punën e tyre.

Chelsea ka një kualitet të madh në skuadrën e saj që duhet të kënaqë pjesën më të madhe të trajnerëve dhe fillimi i mirë i edicionit është kërkesa minimale, por kështu janë edhe Manchester Unitedi dhe Manchester City dhe asnjëra prej tyre nuk e kishte muajin e parë pa vështirësi. Askush nuk mund të thotë se Chelsea nuk ka luajtur kundër një kundërshtari të fortë. Ata e mposhtën Arsenalin në ndeshjen e dytë të Sarrit dhe pastaj shkuan në fortesën e Newcastle Unitedit për t’u përballur me mbrojtjen e fortë të Rafa Benitezit.

Chelsea tashmë ka filluar të luajë në një tjetër stil nën urdhrat e Sarrit – lojë e shpejtë, me pasime të shkurtra që vetëm sa do të përmirësohet gjatë sezonit dhe deri më tani skuadra duket e lumtur dhe në harmoni. Për të parë progresin e Chelseat kini vëmendjen në dy sfidat ndaj Liverpoolit në fund të shtatorit. Të parën do ta luajë në Carabao Cup në “Anfield” dhe më pas në “Stamford Bridge” për ligë.

Në të kundërtën e Sarrit e gjejmë Pellegrinin, i cili nuk ka grumbulluar asnjë pikë me West Hamin. Fundi i tabelës nuk ishte pritur kur klubi shpenzoi 100 milionë funte gjatë verës dhe e solli Pellegrinin prej Kinës në një marrëveshje trevjeçare. West Hami ka nevojë të shpejtë për të grumbulluar pikë dhe duhet të prodhojë paraqitje të mira për të kënaqur kritikët e tyre.

Është e arsyeshme të thuhet se kalendari nuk ka qenë edhe aq i veçantë për Pellegrinin dhe lojtarët e tij. Ata udhëtuan drejt Liverpoolit dhe Arsenalit në dy ndeshjet e para jashtë, por janë mposhtur në shtëpi ndaj Bournemouthit dhe ndaj Wolverhamptonit. Trajneri i ri duhet ta zgjidhë shpejt problemin, pasi Chelsea dhe Manchester Untiedi do të jenë përballjet pas Evertonit dhe besimi i bordit do të jetë i pakët për West Hamin nëse nuk ngjitet në tabelë.

Pellegrini është në një situatë më të vështirë sesa mendon me lojtarët që kanë filluar ta njohin njëri-tjetrin dhe me tifozët që janë të pakënaqur.

Marco Silva te Evertoni është gjashtë pikë më mirë, me klubin që tashmë është në pozitën e shtatë në tabelë, por të gjithë që ishin dëshmitarë të barazimit në shtëpi ndaj Huddersfieldit gjatë xhiros së kaluar e shohin që ka vend për përmirësime. Evertoni është i pamposhtur, pa dyshim që thotë diçka, por ata kanë fituar vetëm një ndeshje nga katër sosh kur Richarlison ia siguroi fitoren ndaj Southamptonit. Suspendimi i brazilianit për shkak të kartonit të kuq ndaj Bournemouthit nuk e ka ndihmuar, por si me Richarlisonin si pa të Evertoni ka pritur më shumë këtë edicion sesa barazime me Wolverhamptonin, Bournemouthin dhe Huddersfieldin.

Emery në “Emirates”  ka arritur dy fitore, një më shumë sesa Silva, por Arsenali është më poshtë në ligë sesa Evertoni për shkak se kishte humbur dy sfidat e para. Pas lojërave me Manchester Ciyn dhe Chelsean nuk dukej ndonjë turpërim, por as fitoret ndaj West Hamit dhe Cardiffit nuk është se i kanë bindur tifozët.

Emery duket i përshtatshëm për këtë klub që është afër përballjes me Vorskla Poltavan në Ligën e Evropës dhe shpreson që Arsenali të bëhet më efikas gjatë zhvillimit të sezonit. Arsenali nuk është se ka pasur ndonjë sukses të madh së fundmi. Duket paksa e padrejtë të pritet nga Emery që menjëherë ta rikthejë klubin në maje kur edhe trajnerë si Mourinho, Mauricio Pochettino dhe Jurgen Klopp nuk kanë pasur suksese në edicionin e parë.

Nga klubet e promovuara në ligë, Wolverhamptoni i Nunos e ka arritur mesin e tabelës me një fitore dhe dy barazime, edhe pse kjo mund të pritet nga një ekip që sezonin e kaluar e fitoi Championshipin me një diferencë prej 9 pikësh. Mbresëlënës është edhe fakti që njëra prej këtyre barazimeve është arritur ndaj Manchester Cityt. Derisa t’i mbajnë futbollistët e tyre më të mirë gjatë janarit, Wolverhamptoni duket komod në ligë, gjë që nuk mund të thuhet për Cardiffin, që kishte zënë vendin e dytë në Championship në edicionin e kaluar.

Ekipi i Neil Warnockut është ende pa fitore e do të përballet ndaj Chelseat dhe Manchester Cityt në dy ndeshjet e ardhshme.

Fulham është duke bërë pak më mirë, duke e rimarrë veten pas një fillimi të dobët dhe duke siguruar një fitore ndaj Burnleyt e pastaj duke marrë një barazim ndaj Brightonit. Jokanovic duhet të mos i lejojë lojtarët e tij që të hyjnë në probleme, edhe nëse uniteti i Fulhamit do të testohet në udhëtimin te Manchester City të shtunën.

Është ende herët që të flitet për luftën për mbijetesë, edhe pse shihet qartë se tashmë pesë ekipe të fundit të tabelës ende nuk kanë marrë fitore, me Cardiffin dhe West Hamin në mesin e tyre. Shpresa më e madhe e Warnockut mund të jetë Huddersieldi, Burnley dhe Newcastle nëse vazhdojnë që të vuajnë. Pellegrini nuk mund të ketë shpresa të tilla. Ai nuk është trajneri më i mirë për luftën për mbijetesë dhe gjithashtu nuk do të ketë kohë. Ai duket të tregojë se West Hami nuk është në një pozicion real. Të gjitha provat tregojnë se nuk do të jetë një detyrë e lehtë./Zëri