Pa Ronaldon Atletico është në nivelin e Realit

Sport September 12, 2018 - 13:33
Detajet

Largimi i Cristiano Ronaldos ka lënë një boshllëk të madh te Real Madridi. Kështu mendon trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, i cili thotë se pa Ronaldon ekipi i tij është në nivel të njëjtë me rivalin lokal. Argjentinasi gjithashtu u shfaq i pakënaqur me neglizhencën që i është bërë yllit të skuadrës së tij, Antoine Griezmann,  në garën për çmimin “FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit”, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, thotë se klubi i tij i është afruar nivelit të rivalit lokal, Real Madrid, pas largimit të Cristiano Ronaldos drejt Juventusit gjatë afatit kalimtar të verës. Strategu argjentinas gjithashtu është i habitur se pse futbollisti i tij Antoine Griezmann është neglizhuar në garën për çmimin “FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit”.

Real Madridi e fitoi për herë të tretë radhazi Ligën e Kampionëve gjatë këtij viti me Ronaldon që përsëri ishte një forcë shtytëse në këtë triumf me 15 gola të realizuar në këtë garë. Por reprezentuesi portugez u largua nga gjigandi spanjoll në drejtim të Juventusit për 110 milionë euro.

Simeone tani beson që skuadra e tij, që kishte përfunduar mbi Real Madridin në edicionin e kaluar të ligës spanjolle dhe triumfoi në finalen e Superkupës së UEFA-s në gusht ndaj “Los Blancos”, është tani në një nivel të njëjtë. 

“Nga rezultatet ne nuk jemi më keq sesa Madridi ose Barca, nga karakteristikat individuale të lojtarëve tanë, po”, ka deklaruar Simeone.

“Pa Ronaldon jam i sigurt se ne e kemi arritur nivelin e Real Madridit”, shtoi strategu argjentinas.

Simeone gjithashtu është i habitur nga neglizhenca që i është bërë Griezmannit në kuadër të çmimeve të FIFA-s. Sulmuesi kishte ndihmuar Atletico Madridin drejt triumfit në Ligën e Evropës dhe në Superkupën e UEFA-s, ndërsa gjithashtu kishte qenë njëri prej lojtarëve kyçë të Francës në fitimin e Kupës së Botës. Sidoqoftë, pavarësisht sukseseve, Griezmann nuk arriti që të hyjë në mesin e tre futbollistëve në garë për çmimin “FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit”. Ky vendim cilësohet si mjaft i çuditshëm nga Simeone.

“Ai nuk ka pasur një shpjegim – fituesi i Kupës së Botës, i Superkupës, i Ligës së Evropës, i dyti në La Liga, lojtari më i mirë në finalen e Kupës së Botës. Në vitin që po e lëmë pas ai ishte më i miri në botë. Është për të ardhur keq. Ne nuk e nënvlerësojmë veten që të mendojmë se kjo ndodhi për shkak se ai luan për Atleticon. Mund të jetë mungesa e imagjinatës nga njerëzit që zgjedhin. Sigurisht na zhgënjen paksa, por është e qartë se Griezmann ishte më i miri në edicionin e kaluar”, shtoi ai./Zëri