Modric, në këndvështrimin e të tjerëve

Sport September 12, 2018 - 12:28
Detajet

Luka Modric së bashku me Cristiano Ronaldon dhe me Mohamed Salahun bëjnë pjesë në treshen e futbollistëve që janë në garë për çmimin “FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit”. “FIFA.com” sjell disa prej fjalëve më të mëdha që janë thënë për reprezentuesin kroat. Zico, Jorge Valdano dhe Peter Schmeichel janë në mesin e njerëzve që i kanë thurur lavde mesfushorit të Real Madridit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Luka Modric shkëlqeu me Real Madridin dhe me përfaqësuesen kroate gjatë këtij vitit. Ai së pari e ndihmoi klubin madrilen drejt triumfit të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, ndërsa më pas e çoi Kroacinë në finale të Botërorit. Një vit ëndrrash për kroatin, i cili tani është në mesin e tre futbollistëve në garë për çmimin “FIFA Lojtari më i Mirë i Vitit”. “FIFA.com” sjell disa prej thënieve më të mira të botës së futbollit drejtuar Modricit.

“Unë zakonisht nuk impresionohem nga lojtarët sepse i preferuari im është Zico në Kupën e Botës të vitit 1982 dhe gjithashtu Diego Maradona pas katër vjetësh. Kështu që standardet e mia janë shumë të larta. Por për hir të së mirës, pas shumë kohësh Modric nuk ishte larg atij niveli. Ai e diktoi finalen e Ligës së Kampionëve për Real Madridin ndaj Liverpoolit në Kiev. Ai është praktikisht i pashoq në terme të aftësive të tij vrapuese, të ndërhyrjeve dhe të pasimeve”, kishte deklaruar ish-futbollisti anglez Stan Collymore pas humbjes së Anglisë kundër Kroacisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

“Modric është njëri prej të paktëve lojtarë në botë që mund t’ju rilidhë me futbollin. Modric është Iniesta i para tetë vjetëve në Afrikë të Jugut, ai e madhështon futbollin”, ishte shprehur ish-lojtari argjentinas Jorge Valdano.

“E kam thënë edhe më parë, Modric është pothuajse në të njëjtin nivel që ishte Zidane. Dhe Zidane ishte njëri prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Ata shohin gjëra që ne nuk mund t’i shohim as me lëvizje të ngadalësuara”, kishte thënë mesfushori i Real Madridit, Casemiro pas finales së Kupës së Botës për Klube në 2017-n.

“Është dukur sikur të dytë janë prej një planeti tjetër dhe kanë ardhur që të luajnë futboll me të vdekshmit këtu. Që të dy janë në mesin e lojtarëve më të mirë në histori për pozitat e tyre”, ishte shprehur Ivan Rakitic për Modricin dhe për Andres Iniestan gjatë botërorit “Rusia 2018”.

“Nuk ka parametra për të cilat Luka nuk e meriton titullin e lojtarit më të mirë në historinë e futbollit kroat”, ka deklaruar Robert Prosinecki, i cili konsiderohet nga shumëkush si lojtari më i madh kroat në histori.

“Thjesht, harroni të gjitha për skuadrën e Real Madridit për një minutë: çfarë mund të thoni për paraqitjen e Luka Modricit sot? A është ai mesfushori më i mirë në botë tani? Paraqitja e sotme ishte mahnitëse. Ai e pranon topin në zona të ngushta, ai ka presion nga tre ose katër njerëz, ai është aq i qetë, i përmbajtur, gjakftohtë nën presion. Ishte një kënaqësi që ta shoh sot”, ishte shprehur legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, pas ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve të këtij viti.

“Mendoj se Modrici e meriton ta fitojë çmimin e më të mirit. Do ta meritonte më të vërtetë. Do të isha i lumtur për të sikur ta merrja vetë çmimin”, ka thënë bashkëlojtari i kroatit te Real Madridi, Sergio Ramos.

“Për mua gjëja më e rëndësishme është Kupa e Botës, kështu që mendoj se Modric e pati kampanjën më të mirë. Modric ishte shumë i mirë gjatë Kupës së Botës, por ai ishte gjithashtu i mirë në Ligë të Kampionëve dhe ai e dominoi finalen ndaj Gremios (në Kupë të Botës për Klube). Ai pason shumë mirë, ka një prekje të mirë, mund ta sulmojë mirë topin dhe është i vendosur. Ajo që e kompleton atë është vizioni i tij dhe aftësia për të dalë në situata të pamundura me topin”, ka deklaruar legjenda braziliane Zico.

“Luka Modric ishte aq i jashtëzakonshëm në çdo pjesë në të cilën mund ta gjykosh një lojtar të mirë. Ajo që bëri ai në Kupën e Botës ishte diçka e pabesueshme. Ai shënonte gola, krijonte gola, luftonte. Ai thjesht ishte një lojtar i jashtëzakonshëm në atë periudhë”, është shprehur ish-portieri i njohur danez Peter Schmeichel.

“Luka na tregon neve se është e thjeshtë që të luash. Më besoni mua, është shumë e vështirë që të luash futboll. Të luash në Kupë të Botës është edhe më vështirë dhe ai luan sikur të jetë normale. Është sikur të vallëzosh për të”, kishte thënë Kaka.

“Gjithmonë kam qenë i frustruar që Modrici ka qenë aq i nënvlerësuar. Vetëm kur ai shënon gol në ndeshje, si ajo goditja sensacionale ndaj Argjentinës, e cila bëri që loja e tij të marrë lëvdatat të cilat i meritonte. Kur skuadra është në vështirësi, nuk ka lojtar më të mirë për ta përballuar presionin. Modric është gjithmonë i gatshëm për të marrë topin dhe do ta mbajë atë për të gjallëruar ndeshjen. Kjo është veti e një lojtari guximtar. Ai e drejtoi spektaklin e Real Madridit kundër Liverpoolit dhe e bëri atë përsëri edhe për ta mposhtur Argjentinën. Ai është mesfushori më i mirë në botë”, ishte shprehur ish-futbollisti anglez, Jamie Redknapp.

“Ekipi luan nën spektrin e tij, asgjë nuk ndodh pa kaluar së pari nga Modrici. Për mua ai është mjeshtër i madh i botës së futbollit. Ai e organizon aq mirë skuadrën dhe Reali është kampion me Modricin si numër 10 të tij. Ne kishim nevojë për një Kupë të Botës në mënyrë që të gjithë ta vlerësojnë lojën e Modricit”, kishte deklaruar ish-futbollisti brazilian, Walter Casagrande./Zëri