Terry, i gatshëm për aventurën e re

Sport September 11, 2018 - 14:03
Detajet

John Terry e pranon se e kishte menduar tërheqjen nga futbolli, por ende nuk është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë. Anglezi momentalisht është në kërkim të një klubi, por nëse nuk arrin dot të bëjë një gjë të tillë Terry mendon të bëhet trajner ose analist, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Befasitë nuk kanë fund për John Terryn. Njëra prej tyre është se ai ka shkruar shënime të manualeve të stërvitjeve qysh prej ditës së parë të Jose Mourinhos në krye të Chelseat në vitin 2004. Ato janë pjesë të studimeve të tij së bashku me titujt e fituar, që zënë vend më shumë sesa shumica e dhomave të klubeve të Premierligës.

Terry, 37-vjeçar, momentalisht është pa klub. Ai ka së paku katër oferta në tabelë, duke përfshirë një ekip të Premierligës dhe të tjerat jashtë vendit. “Jam në gjendje të mirë. Kam qenë në formë për 8 nga 10 vjetët e fundit të karrierës sime. Pata një verë brilante, hera e parë në 20 vjet që kam qenë në gjendje të rri me familjen time gjatë pushimeve të shkollës. Isha larg aq shumë gjatë vitit të kaluar sepse isha shumë i përkushtuar ndaj Aston Villas, por tani jam i rimbushur”, shprehet Terry.

Terry trajnoi çdo ditë gjatë pushimeve. “Nuk është se jam ndalur. Është në gjakun tim”, thotë ai.

Ai është në gjendje të shkëlqyeshme me më pak yndyrë në trup sesa në fillim të të 30-ve. Ai e arriti këtë falë një diete. “Kam shfrytëzuar një kuzhinier personal në shtëpi për 10 vjet që të sigurohesha se do të haja në mënyrën e duhur dhe të më jepte mundësi për të qenë më i mirë se që mund të isha. Te Villa unë punësova kuzhinierin Johny Marsh, që të dërgonte ushqim te hoteli im çdo javë. Kam punësuar një masazhist për dy ose tri herë në javë për një kohë të gjatë. Po, jam me fat, sepse për të qenë në një pozitë të tillë, por me mënyrën sesi ka shkuar loja gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se sa të shpejtë, fizikë dhe të talentuar janë bërë gjeneratat e reja, unë duhej t’ia jepja vetes një shtytje. Te villa unë qëndroja në stërvitje me Robert Snodgrass, Conor Hourihane dhe Jack Grealish, duke punuar shumë dhe duke u stërvitur shumë. Më pëlqente aty. Që prej sesionit të parë stërvitor desha të tregoja veten. Tifozët ishin brilantë”, shprehet ish-kapiteni i përfaqësueses angleze.

Terry thotë se i ka disa oferta, për të cilat do të vendosë gjatë javëve në vazhdim. “Do të vendos brenda disa javësh, kam tri ose katër oferta në tavolinë për të vazhduar lojën, brenda dhe jashtë vendit, shansin për të punuar në televizion ose do të bëhet trajner. Po, është e vërtetë, dua të bëhem trajner i Chelseat një ditë, por është një plan pesë deri në tetëvjeçar”, shprehet ai./Zëri