'Ringjallja' e Cazorlas

Sport September 10, 2018 - 14:54
Detajet

Santi Cazorla i është rikthyer lojës së futbollit pas plot 668 ditëve mungesë, për shkak të një lëndimi të tmerrshëm në nyjën e këmbës. “Ferri” për lojtarin filloi kur theu një kockë të nyjës së këmbës në një ndeshje miqësore për Spanjën. Një infektim bakterial filloi që t’ia ngacmojë tendin e akilit dhe kocën e nyjës së këmbës. Operimet nuk e ndihmuan dhe Cazorla ishte i detyruar që t’i nënshtrohej vazhdimisht edhe operimeve të tjera. Gjatë kësaj vere ai la Arsenalin për t’u rikthyer te klubi i fëmijërisë, Villareali. Mesfushori spanjoll tashmë i është kthyer paraqitjeve në fushë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Gjatë dy vjetëve jashtë futbollit të Santi Cazorlas, djali i tij Enzo dhe vajza e tij India ishin një burim i vazhdueshëm i inspirimit. Mesfushori spanjoll ishte plot 668 ditë jashtë futbollit, pas një lëndimi të tmerrshëm që e kishte pësuar në nyjën e këmbës. “Djali im është i çmendur pas futbollit. Ai më thoshte ‘A nuk do të luash më?’, ndërkohë që unë i thosha, ‘Po, sigurisht që do të luaj përsëri’, dhe ai thoshte, ‘Me atë këmbë? Këmba jote duket disi e çuditshme’. Tani ai më sheh duke luajtur përsëri. Do të thotë që gjithçka ia ka vlejtur”, shprehet spanjolli.

Cazorla u rikthye në aksion për Villarealin gjatë muajit të kaluar pas gati dy vjetësh mungesë dhe ai ka luajtur si titullar në tri ndeshjet e para në La Liga këtë edicion. Por përpara se lëndimi të bëhet serioz, kur ai së pari e plasariti kockën e nyjës së këmbës në një ndeshje miqësore për Spanjën, Arsenali ia bëri disa teste dhe atij i është thënë që të pushonte. “Unë rezistova pak. Unë thjesht mendova se ishte një plasaritje, asgjë më shumë, i vendosa një fashë dhe u ndala për disa ditë. Por koha kaloi dhe në vend që të përmirësohet ajo po përkeqësohej. Pushimi i pjesës së parë më shkatërronte mua sepse nyja ftohej. Do të bëhesha i gjymtë për 15 minutat e para të pjesës së dytë”, thotë ai.

Cazorla provonte që ta mbante nyjën e ngrohtë përmes një biçiklete, por thotë: “Nuk është njësoj si të jesh atje jashtë dhe unë mezi vrapoja në vend për 15 minuta në dhomat e zhveshjes. Kaloi kështu me dhimbje deri në ndeshjen ndaj Ludogoretsit në tetor të vitit 2016, kur fillova të qaj. Kisha mjaft dhimbje, por u bënë edhe më të mëdha. Duhej të ndalesha”, shprehet ai. 

Kështu fillon historia horror. Carzola nuk e dinte atëkohë, por një infeksion bakterial ishte duke ngacmuar 10 centimetra në tendin e akilit të tij dhe gjithashtu për më keq, kockën e nyjës së tij. Para atij kolapsi ndaj Ludogoretsit ai kishte pasur disa lëndime, duke përfshirë një pjesë të akilit, për shkak të të cilit atij i ishte dashur të operohet. Shenjat nga operacioni nuk u shëruan siç duhet. Qepjet u hapën. Ai mbeti kështu i zbuluar ndaj infeksioneve.

Në dhjetor të vitit 2016 një doktor suedez e kishte operuar përsëri dhe kur Cazorla u kthye në Spanjë për të punuar me fizioterapeutin Juan Carlos Herranz, ai besonte se ishte pak muaj larg rikthimit në fushë.

Por përsëri ai nuk u shërua siç duhet dhe kishte nevojë për më shumë operacione në Londër, ku i ishte thënë se para se të shqetësohej për futboll, ishte më e rëndësishme që ai të përqendrohet për të pasur një jetë normale, për të qenë i aftë për të luajtur me djalin e tij. “Ata më thanë se duhej të më operonin, pastaj të më operonin përsëri dhe pastaj edhe disa të tjera”, thotë Cazorla.

Mund të ketë pasur shumë njerëz që nuk kanë vepruar siç duhet, por i pari që duhet të fajësohet jam unë, sepse jam unë ai që vendosi se kush do të më trajtojë. Unë duhej të kisha shkuar në Spanjë qysh prej ditës së parë. Mund të fajësoj disa njerëz dhe të them se nëse ata nuk do të kishin vepruar ndryshe unë nuk do t’i kisha pasur gjysmën e problemeve. Por, në fund të fundit është vendimi im dhe nuk mund të fajësoj askënd”, shprehet spanjolli.

Por, a do të kishin munduar ata që ta trajtonin infeksionin bakterial? A nuk mbërritën gjërat në atë pikën ku ai do të duhej të konsultohej me avokatët e tij?

“Familja ime ma tha këtë, por gjithashtu kishte njerëz që thoshin se kjo do të fillonte një sherr dhe unë nuk e pashë si diçka që do të mundë t’i rregullonte gjërat”. Ai nuk mban mëri me stafin mjekësor të Arsenalit, por është më shumë një lloj konfuzioni. “Ata kurrë nuk e morën përgjegjësinë. Gjithkush mund të gabojë dhe të thotë ‘na vjen keq, ne nuk e kuptuam’. Por, ata asnjëherë nuk e thanë këtë”, shprehet mesfushori.

Sidoqoftë, ai thotë se e kishte përkrahjen e madhe të trajnerit të atëhershëm Arsene Wenger. “Trajneri gjithmonë më ka përkrahur. Para operimit ai më thirri në zyrën e tij dhe më tha ‘Santi, unë do të të jap ty vitin shtesë që ishte si opsion në kontratën tënde. Nënshkruaje atë dhe pastaj mund ta bësh operacionin me mendje të qetë’. Ky ishte një gjest i jashtëzakonshëm”, thotë Cazorla.

Por, pavarësisht mesazheve inkurajuese edhe nga shokët e tij të lojës si Juan Mata dhe David Silva ose edhe përkrahjen e Wengerit ka pasur kohë që ai mendonte se nuk mund të vazhdonte tutje.

“Kisha ato momente. Në fund të fundit është familja ajo që vuan. Thërrisja familjen time dhe u thosha që kaq ishte, përfundoi, të nesërmen do t’i them fizioterapeutit që nuk do të vazhdoj më. Por ata më thoshin, ‘çka, ke kaluar vite duke luftuar, s’mund të dorëzohesh vetëm sepse ndihesh keq një ditë’”, thotë 33-vjeçari.

Pas shumë sfidave ai ia doli, u kthye në fushën e futbollit dhe pret që të ketë një karrierë normale edhe për disa vite të tjera./Zëri