Rënia e Sanes

Sport September 07, 2018 - 14:30
Detajet

Leroy Sane ishte njëri prej futbollistëve kryesorë të Manchester Cityt gjatë edicionit të fundit. Por edicioni i ri ende nuk ka filluar për reprezentuesin gjerman, i cili nuk ishte ftuar nga Joachim Low për botërorin “Rusia 2018”. Ai ende nuk është paraqitur si titullar për klubin nga “Etidad”-i në këtë fillim të edicionit dhe është lënë jashtë ekipit nga Pep Guardiola në fitoren 2:1 ndaj Newcastle Untiedit në fundjavën e shkuar, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Leroy Sane u rikthye te Manchester City më vonë sesa bashkëlojtarët e tij që gjithashtu munguan në Kupën e Botës. Derisa lojtarët e tjerë po testoheshin në kampusin e klubit, Sane pati disa ditë më shumë pushim.

Tashmë kanë kaluar dy muaj dhe Pep Guardiola nuk është impresionuar shumë nga Sane në mënyrë që t’i ofrojë atij një pozitë titullari këtë edicion. Të shtunën Sane madje nuk ishte fare në ekipin e Cityt në ndeshjen ndaj Newcastle Unitedit.

Kjo ka qenë një verë e çuditshme për 22-vjeçarin, i cili kishte ndjekur hapat e Gareth Balet dhe Harry Kanet kur e fitoi çmimin si futbollisti më i mirë i ri në Premierligë gjatë sezonit të shkuar.

Pa Kupë të Botës. Pa pozitë titullari te City. Çuditërisht, starti i edicionit të ri për të  mund të jetë vetëm me përfaqësuesen gjermane. Pep insiston se ai nuk ka probleme me sjelljen e Sanes dhe se vendimi për ta lënë jashtë ekipit ishte teknik.

Por ai ishte kritik ndaj ish-sulmuesit të Schalkes gjatë përgatitjeve për sezonin e ri në SHBA, edhe pasi kishte shënuar ndaj Liverpoolit. “Atij i duhet t’i rifitojë parimet e tij në bazë të lojës pa top”, kishte deklaruar Guardiola.

Lënia jashtë e tij është marrë nga bashkëlojtarët e tij te City si një paralajmërim se çfarë kërkohet për të fituar përsëri titullin në Premierligë.

Disa lojtarët i përfunduan më herët pushimet e tyre për t’iu bashkuar ekipit, pavarësisht se sa gjatë kishin qëndruar në Kupë të Botës.

Ndoshta tani Sane do të kishte dëshiruar të ishte kthyer më herët, duke mos i dhënë arsye Guardiolas që ta linte jashtë. “Ndonjëherë të duhet më shumë kohë kur arrin. Në përgatitjet parasezonale lojtarët thonë: ‘Në rregull do ta bëjmë sepse është parapërgatitje’”, ka thënë Sane, “Por, unë kurrë nuk jam ankuar për sjelljet e Leroyt në stërvitje ose në ndeshje”, shton ai.

Guardiola kishte paralajmëruar lojtarët e tij që të mos jenë shumë të relaksuar pas fitimit të titullit të Premierligës gjatë edicionit të shkuar.

Sane duhet të jetë i vetëdijshëm se gjëja më e rëndësishme në karrierën tani është që të jetë përsëri pjesë e planeve të Guardiolas. Para se ta linte jashtë ekipit në fundjavë, Guardiola insistonte se ishte i lumtur që ta shihte Leroyn e vjetër përsëri në stërvitje. Por kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme për strategun spanjoll, sidomos pas transferimit të Riyad Mahrezit, i cili është rivali kryesor i Sanes. Sulmuesin e pret një punë e madhe përpara për të rifituar vendin e tij./Zëri