E kam shikuar 100 herë golin ndaj Kroacisë

Sport September 07, 2018 - 14:29
Detajet

Derisa përfaqësuesja angleze përgatitet për t’u përballur me Spanjën dhe me Zvicrën, Kieran Trippier ende e kujton me mall golin e shënuar ndaj Kroacisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Mbrojtësi i Tottenhamit thotë se e ka shikuar 100 herë golin e shënuar, por ai ende ndien dhimbje për humbjen ndaj kroatëve, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Kombëtarja e Anglisë ka filluar përgatitjet për dy sfidat e ardhshme kundër Spanjës dhe Zvicrës, por Kieran Trippierit ende kujton me mall momentet e botërorit “Rusia 2018”. Mbrojtësi i Tottenhami e pranon se e ka parë golin e tij të shënuar nga gjuajtja e lirë thuajse 100 herë.

Trippier bëri një gjuajtje të bukur për të mposhtur portierin kroat Danijel Subasic nga gjuajtja e lirë për t’i dhënë epërsinë prej 1:0 ekipit të tij qysh në fillim të takimit, por në fund kroatët u rikthyen dhe fituan 2:1 pas kohës shtesë.

Derisa Anglia po përgatitet për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve ndaj Spanjës të shtunën, Trippier tha se e ka rishikuar shumë herë golin nga gjuajtja e lirë.

“Nuk do t’ju gënjej, e kam rishikuar rreth 100 herë. Sigurisht, që e kam shijuar atë moment, por edhe tani ende më dhemb që ne u mposhtëm. Por, e kam parë përsëri rreth 100 herë, nuk do t’ju gënjej juve”, deklaroi Trippier.

Mbrojtësi i Tottenhamit shënoi një gol të tillë edhe për Tottenhamin në Premierligë në sfidën ndaj Fulhamit në muajin e kaluar dhe tani është duke ndarë gjuajtjet e lira në klub me bashkëlojtarin Christian Eriksen. “Që të jem i drejtë ndaj Christianit ne talleshim paksa për gjuajtjet e lira sapofilluam stërvitjet parasezonale”, u shpreh ai.

“Në ndeshjet e fundit ne i kemi ndarë mes vete, varësisht prej kundërshtarit dhe cila goditje do t’u shkaktonte probleme më shumë. Gjithçka ka të bëjë me vetëbesimin në atë kohë. Të gjithë e dinë sesa i mirë është Christian nga ndërprerjet dhe kur gjuajta topin ndaj Fulhamit unë thjesht ndjeva besim, ishte ndeshja e parë që prej rikthimit dhe i thashë atij ‘Të vjen keq nëse e gjuaj unë këtë?’. Ai tha ‘S’ka problem’ dhe unë arrita që të shënoja”, thotë reprezentuesi anglez.

Trippier është stabilizuar si në klub, ashtu edhe në përfaqësuese falë vazhdimësisë së tij në paraqitje në krahun e djathtë, por i pyetur për mundësinë e lënies jashtë nga trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, 27-vjeçar u përgjigj: “Sigurisht, të gjithë djelmoshat janë duke bërë punë të mirë këtu dhe për klubet e tyre, kështu që vendimi i takon trajnerit nëse unë do të luaj ose jo. Në çdo mundësi që luaj në fushë unë provoj të jap më të mirën, 100-përqindëshin që t’i tregoj trajnerit se unë dua të luaj dhe thjesht të përmirësohem, por në fund të ditës vendimi për përzgjedhje i takon trajnerit. Kështu që nëse nuk luaj, unë nuk do të zhgënjehem, do t’i ndihmoj bashkëlojtarët, por do të stërvit aq sa të mundem që të sigurohem se do të zgjidhem”./Zëri