Ylli i Anglisë thotë se ai dhe bashkëlojtarët e tij s’e kuptojnë si funksionon Liga e Kombeve

Sport September 05, 2018 - 12:33
Detajet

Qendërmbrojtësi i Anglisë, Harry Maguire, e ka pranuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij në ekipin kombëtar po e kanë të vështirë ta kuptojnë sesi funksionon gara më e re e UEFA-s, Liga e Kombeve, edhe pse trajneri i tyre, Gareth Southgate, kishte bërë më të mirën për t’ua shpjeguar.

Anglia e nis kampanjën inauguruese të Ligës së Kombeve kundër Spanjës të shtunën në Wembley, para se të përballet me Zvicrën në një ndeshje miqësore të martën, transmeton Express.

Anglia është në Grupin e Katërt të Ligës së Kombeve, bashkë me Spanjën dhe Kroacinë. Fituesit e katër grupeve të Ligës A, në të cilën ndodhet Anglia, do të avancojnë në një mini-turne, i cili e vendosi më pas kampionin e kësaj lige në verën e ardhshme.

Southgate është përpjekur t’ua shpjegojë lojtarëve të tij formatin e ti, por Maguire ende nuk e ka kuptuar plotësisht.

“Është goxha e koklavitur – nuk e di çfarë mendoni ju?”, pyeti Maguire.

“Trajneri tentoi të na e shpjegonte në mënyrën më të mirë. Mendoj se ai e ka kuptuar, ama i ka marrë shumë kohë. Jemi duke u përpjekur ta kuptojmë edhe pse është e vështirë”, tha ai.