Për disa fillim i shkëlqyeshëm, për disa i vështirë

Sport September 05, 2018 - 12:20
Detajet

Tashmë kanë kaluar katër xhiro dhe Premierliga ka filluar të marrë formë. Disa prej nënshkrimeve të verës kanë filluar të shkëlqejnë me klubet e tyre qysh në javët e para, ndërsa disa të tjerë ende nuk janë adaptuar në mjediset e reja, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Katër javët e para në Premierligë tashmë janë mbyllur dhe tifozët e çdo klubi tashmë kanë marrë një pamje se si është perspektiva e ekipit të tyre të dashur gjatë muajve në vazhdim. Disa prej nënshkrimeve të verës kanë shkëlqyer qysh në fillim të kampionatit, ndërsa të tjerët ende janë në pritje për të treguar më të mirën e tyre. “Daily Mail” sjell pesë transferimet e reja që kanë shkëlqyer dhe pesë të tjerët që ende nuk e kanë treguar potencialin e tyre të plotë.

Jorginho (Chelsea)

Mesfushori italian është adaptuar për mrekulli në Premierligë pas ribashkimit me Maurizio Sarrin në një transferim 57 milionë funtesh muajin e kaluar. Ndoshta përvoja e tij me Sarrin te Napoli e ka ndihmuar, por Jorginho falë pasimeve të tij të shkëlqyeshme duket se tashëm është një nivel më lart. Ai ishte shumë efektiv në fitoren e Chelseat ndaj Arsenalit me pasimet e tij diagonale, duke i shkaktuar telashe mbrojtjes së “Topçinjve” dhe ka qenë faktor kyç në fillimin fantastik të ekipit.

Matteo Guendouzi (Arsenal)

Shumë tifozë të Arsenalin do të thoshin: “Kush?”, kur Guendouzi arriti nga klubi i ligës së dytë franceze Lorient, por sigurisht se tani të gjithë e njohin atë. Është një lëvizje e rrezikshme që të luash me një 19-vjeçar në Premierligë, sidomos me një trajner të ri, por Unai Emery i ka dhënë menjëherë besim francezit, duke luajtur me të si titullar në të katër ndeshje deri më tani. Arsenali është kritikuar për repartin e mesfushës, por energjia dhe inteligjenca e Guendouzit e ka kthyer tashmë në një lloj hero kulti adoleshentin.

Jean Michael Seri (Fulham)

Seri ishte lidhur me një kalim te Barcelona, Liverpooli, Chelsea dhe Manchester Unitedi, por zgjodhi ekipin e sapopromovuar në Premierligën Fulhamin sepse ata treguan më shumë dashuri për të sesa klubet e mëdha. Transferimi 25 milionë funtesh nga Nice tashmë ka marrë vëmendjen në fillimin e jetës së tij të re në Angli, siç ka treguar me golin ndaj Burnleyt dhe asistimit për Andre Schurrlen ndaj Brightonit. Nuk ka ndonjë dyshim që afrikani do të vazhdojë të jetë vendimtar për Fulhamin në sigurimin e mbijetesës.

James Maddison (Leicester)

Pas shkëlqimit me Norwich Cityn në Championship gjatë edicionit të kaluar ishte e sigurt që reprezentuesi i ekipit U-21 të Anglisë do të transferohej në Premierligë së shpejti. Dhe Maddison ka shkëlqyer me Leicesterin në ndeshjet e para pas lëvizjes prej 24 milionë funtesh, duke kontribuuar me një gol dhe një asistim deri më tani. Ish-futbollisti anglez Jamie Redknapp ishte impresionuar nga paraqitja e tij ndaj Liverpoolit. “Mendoj se ai ishte fantastik, 21-vjeçar, katër ndeshje në Premeirligë dhe ai duket sikur ka qenë këtu prej vitesh”, ka deklaruar ai.

Danny Ings (Southampton)

Pas një aventure me plot lëndime dhe minuta të limituara te Liverpooli, Ings duket se ka rilindur në javët e para pas huazimit te Southamptoni. Ai tashmë ka shënuar një gol në tri ndeshje dhe nëse vazhdon kështu Southamptoni mund ta blejë në formë të përhershme sulmuesin.

Alisson (Liverpool)

Gjithmonë do të kishte presion në blerjen prej 65 milionë funtesh të portierit Alisson, por kjo nuk është një justifikim që të bëhesh si Cruyff brenda zonës së rreptësisë. Braziliani i ardhur nga Roma për të zëvendësuar Loris Kariusin e provoi të njëjtin trik edhe ndaj Brightonit, por ai doli mbanë. Mirëpo fati mbaroi ndaj Leicesterin kur Kelechi Iheanacho ia mori topin dhe Liverpooli më pas pësoi gol. Fatmirësisht kjo nuk i kushtoi Liverpoolit, por Alisson duhet të jetë më i kujdesshëm.

Fred (Manchester United)

Manchester Unitedi ishte optimist kur nënshkroi me Fredin nga Shakhtar Donetsku për 52 milionë funte. Ata ishin të bindur që ai do të zgjidhte shumë probleme. Sidomos që t’i lejojë hapësirë Pogbas. Braziliani nuk e ka filluar me ritmin më të shpejtë në Premierligë dhe ka vuajtur në humbjet e Untiedit ndaj Brightonit dhe Tottenhamit para se të lihej në bankinë ndaj Burnleyt. Por, ai ende ka kohë dhe mundësi që ta demonstrojë veten e tij deri në fund të sezonit.

Felipe Anderson (West Ham)

Gjithmonë ka pritje të mëdha kur transferohesh si nënshkrimi rekord i klubit, sidomos kur pritet që të jesh burim i golave. Anderson që iu bashkua West Hamit nga Lazio për 40 milionë funte, e ka gjetur veten në një fillim të vështirë te klubi anglez, që e ka filluar sezonin me katër humbje. Por, gjërat mund të përmirësohen shumë jo vetëm për Andersonin, por edhe për transferimet e tjera të Manuel Pellegrinit.

Sokratis Papastathopoulos (Arsenal)

Unai Emery e solli grekun me përvojë që t’i sjellë rregull mbrojtjes së çrregullt të Arsenalit pas disa sezoneve të mira të tij. Por tetë gola të pësuara në katër ndeshje lënë shumë për të dëshiruar në soliditetin që kërkohet. Ata u dukën të brishtë në mbrojtje sidomos ndaj Chelseat, por edhe ndaj Cardiffit, që shënoi dy gola ndaj tyre. Një përmirësim i shpejtë në mbrojtje është i nevojshëm.

Riyad Mahrez (Manchester City)

Dihej që nënshkrimi prej 60 milionë funtesh i Mahrezit do të kishte vështirë që të ishte i rregullt në një ekip me aq konkurrencë. Por pasi luajti si titullar në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit, ai më pas u ul në bankë dhe kur u rikthye ndaj Newcastle Unitedit të shtunën bëri një paraqitje të dobët. Ndoshta Mahrezit i duhen edhe dy ose tre muaj për t’u inkuadruar në ekip, por derisa kupat dhe Liga e Kampionëve fillon në këtë muaj ai duhet të gjejë mundësinë e tij./Zëri