Crvena Zvezda e bën një premtim të madh për Shaqirin

Sport September 04, 2018 - 17:05
Detajet

Xherdan Shaqiri do të zbresë në stadiumin “Marakana” në Beograd me Liverpoolin për t’u ndeshur me Crvena Zvezdën në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, shkruan Zeri.info.

Tifozët serbë janë përplot me mllef ndaj futbollistit shqiptar, i cili e festoi me shqiponjë golin ndaj Serbisë në Botërorin e fundit për Zvicrën.

Mirëpo, klubi serb e ka ndërmend ta mbrojë futbollistin shqiptar nga çfarëdo situate të palakueshme.

“Personalisht, nuk mund ta imagjinoj që një shqiptar të luajë për Crvena Zvezdën. Mendoj se Shaqiri do të jetë nën presion të pabesueshëm psikologjik sepse ai e di se ku do të vijë. Ai e di se Zvezda është simbol i Serbisë dhe ai do të luajë në Marakana. Natyrisht, si klub futbolli, ne i trajtojmë rivalët në mënyrë të njëjtë dhe ne nuk duam të merremi me të kaluarën dhe me histori. Zvezda do të bëjë gjithçka që ta bëjë Shaqirin të ndihet se ka ardhur të luajë futboll dhe është detyrë e jona ta mbrojmë atë në rast të ndonjë situate të palakueshme. Le të jemi mikpritës të mirë”, ka thënë presidenti i klubit serb, Zvezdan Terzic për “Kurir”. /Zëri/