Super-Maki

Sport September 04, 2018 - 09:58

Gauthier Mankenda është bërë lider i kandidates kryesore për titullin e kampionit në edicionin e ri, shkruan sot gazeta Zëri.

FC Prishtina i ka fituar dy ndeshjet e para kampionate, duke e arritur kuotën e gjashtë pikëve, tri më pak sesa lideri Flamurtari, i cili e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Mankenda e realizoi golin e vetëm dhe të fitores së Prishtinës të dielën mbrëma ndaj Drenicës së fortë, ndërsa ky ishte goli i tij i dytë në dy ndeshjet e para kampionale, ose të tretin nëse merret parasysh edhe goli që e kishte shënuar në ndeshjen e Superkupës ndaj Dritës.

Forma e tij po e kënaq FC Prishtinën, por edhe vetë lojtarin, i cili sivjet dëshiron të shpallet kampion në Kosovë, ku po luan qe disa vjet tashmë.

“Me paraqitjen tonë të fortë i morëm tri pikë, çka është shumë me rëndësi për ne. Luajtëm fortë dhe jemi në krye të klasifikimit, atje ku duam të jemi deri në fund”, ka theksuar ish-futbollisti i Vushtrrisë, të cilin prishtinasit e kishin transferuar në radhët e veta duke besuar shumë në potencialin e tij. Dhe, Mankenda po e arsyeton besimin e klubit më të madh në vend. /Zëri/