Osmani: Fitore e merituar, përgëzoj Ibraimin për jubileun (VIDEO)

Sport September 02, 2018 - 21:07

Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani vlerëson se Shkëndija meritoi fitoren kundër Shkupit pasditen e të dielës në Çair.

Kuqezinjtë arkivuan fitoren e dytë me radhë pas katër xhirove në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa stafi teknik vlerëson reagimin e ekipit pas lodhjes dhe eliminimit nga Europa.

“Për ne ishte shumë me rëndësi të fitojmë këtë ndeshje për shkak se në skuadër ndjehet lodhje nga ndeshjet europiane. Megjithatë mendoj se kjo ishte fitore e merituar. Pas ndeshjes me Rosenborgun në play off të UEFA Europa League kishim brengë nëse do të shkojnë gjërat si duhet, megjithatë mendoj se loja e sotme tregoi se ekipi ka lënë pas atë që ndodhi në Europë dhe tani koncentrohemi në kampionatin e Maqedonisë”, deklaroi pas fitores me Shkupin trajneri, Qatip Osmani, i cili ka komentuar edhe jubileun prej 100 gola të Besart Ibraimit në ndeshjet zyrtare me Shkëndijën.

“Më gëzon që Besarti shkon në shifrën e 100 golave dhe mendoj se nuk do të ndalet këtu. Bëhet fjalë për futbollistë shumë cilësorë i cili besoj do të vazhdojë të shënojë edhe tutje”.

Trajneri Osmani ka ftuar skuadrën të mendojë për takimin e Kupës së Maqedonisë të mërkurën kundër Kozhufit, derisa u ka uruar paraqitje të mira katër reprezentuesve nga radhët kuqezi (Bejtullai dhe Musliu me Maqedoninë dhe Shefiti e Zejnullai me Shqipërinë U21).

“Sigurisht se jam i kënaqur dhe uroj ata të kenë paraqitje të mira. Shpresojmë që në të ardhmen Shkëndija të jep edhe lojtarë tjerë që do të përfaqësojnë si Maqedoninë ashtu edhe Shqipërinë apo ndonjë përfaqësuese tjetër”, përfundoi Osmani.