Kosova kthehet në 'fole'

Sport August 31, 2018 - 11:27
Ashtu siç kishte njoftuar gazeta “Zëri” ditë më parë, UEFA ia ka dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës të enjten dritën e gjelbër për stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili sipas shtëpisë së futbollit evropian i ka plotësuar kriteret dhe është licencuar për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Me këtë rast Përfaqësuesja e Kosovës do të kthehet në “fole” pas një kohe të gjatë dhe do ta zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare pas renovimit të stadiumit të kryeqytetit me Ishujt Faro, më 10 shtator

 

Image

Kosova e ka marrë një lajm të madh të enjten.

Në fakt, ashtu siç kishte njoftuar gazeta “Zëri” ditë më parë, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) e ka gëzuar të enjten Federatën e Futbollit të Kosovës, të cilën e ka njoftuar se stadiumi i renovuar “Fadil Vokrri” është i gatshëm për ta pritur një ndeshje ndërkombëtare.

Me këtë rast shtëpia e futbollit evropian e ka dhënë dritën jeshile për stadiumin e kryeqytetit dhe Përfaqësuesja e Kosovës do të mundë t’i zhvillojë tash e tutje aty ndeshjet në Ligën e Kombeve, por edhe të kompeticioneve të tjera në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe ato miqësore.

“Ashtu siç pritej, UEFA sot e ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë pas renovimit të tërësishëm i ka plotësuar kriteret dhe është licencuar për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Kësisoj më 10 shtator, në orën 20:45, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Ishujve Faro në kuadër të Ligës së Kombeve tri ditë pasi do ta bëjë debutimin në këtë garë në Baku, në përballje me Azerbajxhanin”, ka njoftuar institucioni më i lartë i futbollit kosovar.

Ministri Gashi uron Kosovën

Ministri i Sportit Kujtim Gashi e ka pranuar me gëzim lajmin për konfirmimin nga UEFA se stadiumi “Fadil Vokrri” mund të përdoret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Pas lajmit të marrë ai e ka uruar tërë komunitetin futbollistik në Kosovë, duke filluar nga Federata e Futbollit të Kosovës, klubet, futbollistët e punëtorët sportivë.

“Ne si Ministri dhe unë si ministër personalisht në vazhdimësi dhe me angazhimin më të madh kemi punuar që të vijmë deri te kjo ditë, kur zyrtarisht të na lejohet që të zhvillojmë ndeshje ndërkombëtare në stadiumet përbrenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha në mes të tjerash ministri.

“Dua ta njoftoj komunitetin sportiv në përgjithësi dhe atë të futbollit në veçanti se UEFA na e ka dërguar konfirmimin që lejon përdorimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në kuadër të Ligës së Kombeve në kuadër të UEFA-s dhe më 10 shtator Kosova do të shënojë një fakt historik, sepse për herë të parë luan në një stadium të pranuar ndërkombëtarisht në territorin e vet dhe nuk ka nevojë t’i shfrytëzojë arenat sportive të vendeve të tjera”, tha ministri.

“Dua t’i uroj të gjithë ata që kanë kontribuuar për punën që stadiumi ka ardhur deri në këtë fazë. Po ashtu u uroj dhe u dëshiroj suksese edhe futbollistëve që do ta shfrytëzojnë këtë stadium modern, në të cilin kemi investuar dhe jemi angazhuar maksimalisht për të”, ka uruar Gashi.

Gëzohet edhe KOK-u

Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i është gëzuar lajmit që e mori të enjten futbolli kosovar.

“Ky është lajm i mirëseardhur, pasi Kosova do ta luajë për herë të parë një ndeshje zyrtare në Kosovë”, ka shkruar institucioni më i lartë i sportit kosovar në uebfaqen e vetë zyrtare.

Kosova viteve të fundit i kishte zhvilluar ndeshjet miqësore në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ndërsa ato zyrtare kualifikuese për Botërorin 2018 i kishte luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Por, pas më shumë se dy vjetësh pritje Verdhekaltrit do të kthehen në “folenë” e tyre dhe tash e tutje ndeshjet do t’i zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili pritet të jetë i stërmbushur që nga ndeshja e parë me Ishujt Faro muajin e ardhshëm, që do të zhvillohet në mbrëmje nën dritat e reflektorëve. /Zëri/