Shkëndijës i mungoi fati, del nga Europa League me kokën lartë!

Sport August 30, 2018 - 22:04

Shkëndija i ka dhënë fund eksperiencës evropiane. Klubi shqiptar është eliminuar nga Rosenborgu në fazën e “Play-Offit” të Europa Leagues pas dy ndeshjesh interesante, ku norvegjezët fituan me rezultat të përgjithshëm 5:1.

Në fakt, norvegjezët i kanë fituar të dyja ndeshjet edhe pse në atë të kthimit, të zhvilluar sonte në Shkup, Kuqezinjtë kanë dominuar totalisht, përkundër humbjes 0:2.

Mirëpo, ekipit të Qatip Osmanit ia ka kthyer fati shpinën pasi bëri lojë të shkëlqyer.

Dy penallti të humbura, një gol i anuluar dhe shumë raste të pastra ishin ato që e karakterizuan dominimin e skuadrës shqiptare.

Egzon Bejtullai shënoi në fillim të ndeshjes, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.

Ndërkaq, Besart Ibraimi e ka humbur penalltinë në minutën e 20-të pasi topin e devijoi portieri Andre Hansen dhe më pas përfundoi në shtyllë.

Me të filluar pjesa e dytë, Kuqezinjtë e humbën edhe një penallti, të cilën e nxori Armend Alimi. Kësaj radhe, 11 metërshin e humbi Izair Emini, respektivisht gjuajtjen e tij e priti heroi i norvegjezëve, Hansen.

Rosenborgu ndërkohë e “goditi” Shkëndijën në momentin e duhur, respektivisht në minutën e 67-të me golin e mbrojtësit Even Hovland. Kurse, në minutën e 84-t mysafirët shënuan përsëri me Tore Reginiussen.

Përkundër humbjes, Shkëndija del nga Europa League me kokën lart pasi bëri paraqitje fantastike gjatë kësaj vere në garat evropiane.

Shkëndija është bërë model për klubet shqiptare, por edhe të atyre të rajonit pas paraqitjeve fantastike viteve të fundit në Europa League.

Kuqezinjtë këtë herë e nisën eksperiencën në Ligën e Kampionëve, pasi u shpallën kampionë në Maqedoni dhe shkuan deri në fazën e tretë, ku u ndalën nga gjiganti austriak Red Bull Salzburg, derisa paraprakisht e kishin eliminuar ekipin uellsian The New Saints dhe atë moldav Sheriff Tiraspol. /Zëri/