Ministri Gashi vizitoi KOK-un, u bisedua për çështje të ndryshme në avancimin e sportit

Sport August 30, 2018 - 20:32

Bordi Ekzekutiv (BE) i Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) me në krye presidentin, Besim Hasani, ka mirëpritur të enjten në zyret e KOK-ut, ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi dhe BE i KOK-ut bashkëbiseduan për vazhdimin e bashkëpunimit MKRS – KOK, si dhe për çështje të ndryshme në avancimin e sportit të Kosovës.

Presidenti Hasani në emër të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, tha se është nderë që ministri Gashi viziton Komitetin Olimpik të Kosovës, derisa shprehu konsideratën e lartë ndaj përkushtimit të ministrit, për të krijuar një ambient më të mirë për sportin, sportistët dhe gjithë punëtorët sportiv.

I pari i KOK-ut tha se u akorduan me ministrin që të ketë harmonizim të rregulloreve të sportit,  sportistëve dhe trajnerëve, si dhe rregulloreve tjera të MKRS-së, në të cilat janë hasur defekte.

“Biseduam edhe për mbështetjen e sportistëve, të cilët janë në garë për të fituar normën Olimpike Tokyo 2020.

KOK-u ka ndarë 19 bursa Olimpike, por ato janë të mjaftueshme, prandaj së bashku u akorduam të gjejmë forma të bashkëpunimit që sportistët të jenë sa më shumë të mbështetur dhe mjetet që u ndahen federatave dhe KOK-ut të kenë prioritet sportistët”, tha ndër të tjerë presidenti Hasani, duke përmendur edhe vitin 2019, si më të ngjeshurin për KOK-un, pasi na presin katër aktivitete të mëdha ndërkombëtare.

Një tjetër çështje për të cilën u bisedua janë hapësira e KOK-ut, për çka presidenti Hasani tha se me ndërkombëtarizimin e sportit, janë rritur dyfish nevojat edhe për zgjerim të hapësirave, për çka ministri Gashi tha se u akorduan që në vitin e ardhshëm të shohin mundësitë që MKRS bashkë me KOK-un të kenë investime në këtë drejtim.

Ministri Kujtim Gashi shprehu kënaqësinë e veçantë për praninë e tij në zyret e KOK-ut, duke thënë se adresa e vetme për sport është KOK-u, sepse të gjitha mbështetjet që po ndodhin nga MKRS përmes rregulloreve të ndryshme janë nga KOK-u.

Edhe ministri shprehu pajtimin për plotësim ndryshimin e rregulloreve të sportit, derisa foli edhe për Ligjin për Sponsorizim.

“Sa i përket Ligjit për Sponsorizim e kemi miratuar një rregullore, kemi lëshuar edhe tri vërtetime, por meqenëse ka mosharmonizim me Ligjin për të Ardhura në Korporata dhe jemi pajtuar me Ministrinë e Financave që të kalon në Kuvend. Një lajm i mirë është që Ligji për të ardhura në Korporata ka kaluar në Qeveri”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Vizita e ministrit në KOK koinçidoi edhe me lajmin e mirë të marrë nga UEFA për licencimin e stadiumit të Prishtinës, për çka ministri Gashi dhe presidenti BE i KOK-ut, shprehën kënaqësinë që infrastruktura në sportin tonë po përmirësohet.