Shkëndija e tenton mrekullinë sonte në Europa League

Sport August 30, 2018 - 12:49

Shkëndija nuk dorëzohet kurrë, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi tetovar do të zbresë sonte në fushën e blertë me tentimin që ta bëjë mrekullinë dhe ta përmbysë disavantazhin që e ka ndaj Rosenborgut.

Kuqezinjtë e humbën ndeshjen e parë 1:3 në Norvegji javën e kaluar dhe tash e kanë një mision mjaft të vështirë, por jo të pamundur për ta rikthyer rezultatin në ndeshjen e kthimit të fazës së “Play-Off”-it të Europa Leagues.

Por për ta arritur përmbysjen e madhe djelmoshat tetovarë kanë nevojë për përkrahjen masive të publikut, në ndeshjen që do të zhvillohet sonte në Shkup, në orën 20:15.

Qatipi: Na pret një ndeshje historike

Shkëndija është e vendosur ta përmbysë rezultatin dhe ta regjistrojë një rezultat historik pasi nuk është kualifikuar kurrë më parë në kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

“Na pret ndeshje historike në Shkup dhe Shkëndija do të mundohet ta anulojë këtë rezultat negativ. Edhe pse humbëm, nëse luajmë me këtë ritëm në ndeshjen e së enjtes, mendoj se kemi gjasa të kualifikohemi. Normal do të kemi nevojë për mbështetjen e publikut dhe besoj të kemi numër të madh spektatorësh në tentimin për ta shkruar historinë”, ka thënë trajneri Qatip Osmani.

“Publiku në ndeshje me Rosenborgun do të jetë lojtari ynë i 12-të, për të cilin ka nevojë çdo ekip, andaj ndaj Rosenborgut presim ta kemi një numër të mjaftueshëm shikuesish për ta fituar atë ndeshje dhe për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Evropës”, vazhdoi trajneri i suksesshëm shqiptar.

Njëjtë mendon edhe futbollisti kualitativ Gledi Mici, i cili beson se Kuqezinjtë mund të përmbysin gjithçka me përkrahje të tifozëve.

“Futbolli është i bukur dhe i paparashikueshëm. Rosenborgu është skuadër e fortë, por ne kemi shpresa për të kaluar më tej. Do të japim gjithçka dhe me pak fat mund të kalojmë më tutje”, u shpreh futbollisti shqiptar.

“I bëj thirrje publikut të jetë prezent në numër sa më të madh, pasi ata janë lojtari ynë i 12-të. Sa më shumë veta të jenë në stadium, aq më mirë do të jetë për ne. Duhet të japim gjithçka, të luajmë me zemër dhe t’i bëjmë të lumtur, pse jo”, ka përfunduar ai.

Shkëndija është bërë model për klubet shqiptare, por edhe të atyre të rajonit pas paraqitjeve fantastike viteve të fundit në Europa League.

Kuqezinjtë këtë herë e nisën eksperiencën në Ligën e Kampionëve pasi u shpallën kampionë në Maqedoni dhe shkuan deri në fazën e tretë, ku u ndalën nga gjiganti austriak Red Bull Salzburg, derisa paraprakisht e kishin eliminuar ekipin uellsian The New Saints dhe atë moldav Sheriff Tiraspol.

Dueli ndërmjet Shkëndijës dhe Rosenborgut do të zhvillohet të enjten, në orën 20:15. /Zëri/

Europa League

Faza e “Play-Off”-it

E enjte

20:15 Shkëndija – Rosenborg