Ngjitja e shpejtë e Mbappes në maje

Sport August 30, 2018 - 11:19
Detajet

Kylian Mbappe triumfoi në Kupën e Botës duke pasur vetëm 19 vjet mbi supet e tij. Ylli francez ka mposhtur, ose ka kërcënuar, rekorde të mbajtura prej një kohe të gjatë. Ai është një kandidat serioz për çmimin “Lojtari i Vitit”, i cili jepet nga FIFA, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Është e vështirë të besohet që Kylian Mbappe është njëri prej kandidatëve seriozë të FIFA-s për çmimin “Lojtari i Vitit” si vetëm 19-vjeçar. I saposhpallur kampion bote, sulmuesi francez është duke bërë një progres të shpejtë për të arritur në majat e këtij sporti dhe tashmë është duke iu bërë shoqëri emrave më të mëdhenj të botës së futbollit. Para shpalljes së finalistëve për çmimin “Lojtari i Vitit” më 3 shtator, “FIFA.com” bën një analizë për fenomenin “Mbappe”.

Një francez i vrullshëm

David Trezeguet dhe Thierry Henry e konfirmuan statusin e tyre si talent të jashtëzakonshëm duke ndihmuar Francën që të triumfojë në botërorin e organizuar në shtëpi në vitin 1998 kur ishin vetëm 20-vjeçar. Pas dy dekadave, Mbappe u bë lojtari më i ri francez që luan në finalen e Kupës së Botës dhe triumfoi në garën për çmimin “Lojtari i Ri më i Mirë”, pasi luajti më shumë minuta në “Rusia 2018” sesa që kjo dyshe kishte luajtur së bashku në “Franca 1998”. Ai realizoi 4 gola, po aq sa Henry dhe Trezeguet së bashku. “Fitimi i Kupës së Botës në moshë kaq të re t’i hapë dyert, por unë duhet të vazhdoj përpara. Unë jam vetëm në fillim të rrugës. Kam një histori të plotë për ta shkruar”, kishte deklaruar Mbappe pas triumfit në Rusi.

Më i shpejtë se Messi

Franca tejkaloi Argjentinën duke e mposhtur 4:3 në të tetën e finales në Rusi, duke prodhuar një spektakël, pjesë e të cilit ishte edhe Mbappe me dy golat e realizuar dhe fitimin e një penaltie. Në atë ndeshje ai e fitoi betejën e numrave dhjetësh me Lionel Messin, i cili përsëri u largua nga Botërori me duar të zbrazëta. Për dallim nga argjentinasi, Mbappe tashmë ka një medalje në posedim, pavarësisht se sapo kishte filluar karrierën e tij ndërkombëtare dhe është paraqitur në vetëm 22 ndeshje. “Qysh prej fillimit ai shkoi për t’i sulmuar argjentinasit. Ai ishte i rrezikshëm gjatë gjithë kohës dhe mori vendimet e duhura në kohën e duhur. Ne nuk duhet të harrojmë se ai është vetëm 19-vjeçar. Ne nuk e kuptojmë se çfarë do të thotë kjo në këtë nivel. Ne duhet të ndalemi dhe ta kuptojmë këtë”, klithe deklaruar ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.

I krahasuar edhe me Pelen

Gjatë shpërthimit të tij me Monacon falë shpejtësisë së rrufeshme dhe realizimit të golave, Mbappe ishte krahasuar nga shumëkush me Henryn, i cili kishte debutuar gjithashtu me klubin nga principata. Sidoqoftë, falë paraqitjeve në Rusi sulmuesi i ri i është bashkëngjitur Peles. “Nëse Kylian vazhdon t’i barazojë rekordet e mia kështu, unë duhet t’i vesh përsëri këpucët e mia”, kishte shkruar në rrjetin social “Twitter” Pele. Falë golit të tij ndaj Kroacisë ai u bë sulmuesi i dytë më i ri që shënon në një finale të Kupës së Botës pas Peles, i cili ishte vetëm 17-vjeçar kur realizoi në vitin 1958 kundër Suedisë. Mbappe gjithashtu u bë sulmuesi më i ri që shënon dy gola në finale, përsëri pas Peles, i cili gjithashtu kishte realizuar dygolësh ndaj Suedisë./Zëri