Anglia, besnike ndaj yjeve të Botërorit

Sport August 30, 2018 - 11:13
Detajet

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, do t’i rezistojë tundimit për të ftuar futbollistë të rinj në përfaqësuese dhe do t’u qëndrojë besnik pjesës më të madhe të lojtarëve që ishin pjesë e ekipit të Kupës së Botës. Anglia do t’u besojë yjeve që e çuan kombëtaren deri në gjysmëfinale të Botërorit, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Gareth Southgate të enjten do ta zbulojë listën e të ftuarve të tij për ndeshjen e ardhshme të Anglisë në Ligën e Kombeve ndaj Spanjës dhe miqësoren kundër Zvicrës. Por në ekipin anglez nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha nga lojtarët që ishin pjesë e Kupës së Botës.

Adoleshentët Phil Foden, Ryan Sessegnon dhe Jadon Sancho janë lidhur kohëve të fundit me një ftesë të mundshme. Por pritet që Southgate t’i qëndrojë besnik listës së futbollistëve që i pati në “Rusia 2018”, kompeticion në të cilin arriti deri në gjysmëfinale.

Jamie Vardy dhe Gary Cahill i kanë treguar trajnerit se nuk duan që të ftohen, ndërsa në dyshim mbetet ftesa për Phil Jonesin, i cili u lëndua në sfidën mes Manchester Unitedit dhe Tottenhamit të hënën.

James Tarkowski ishte qendërmbrojtësi në listën e pritjes për Botëror dhe pritet të ftohet, ndërsa Joe Gomez, që mungoi në Rusi për shkak të një lëndimi në nyjën e këmbës, pritet të rikthehet në skuadër.

Kjo politikë mund të sjellë lajme të mira për Adam Lallanan, i cili ka bërë vetëm një paraqitje si zëvendësues në Premierligë për Liverpoolin. Ai mund të ftohet si zëvendësues i Vardyt, derisa Anglia kërkon opsione të reja në sulm.

Pjesëtarët e tjerë që ishin në listën e pritjes për Botëror si Lewis Cokk, që ka humbur vendin e titullarit me Bournemouthin dhe Jake Livermore që tani luan në Championship me West Bromwichin nuk pritet të jenë pjesë e skuadrës.

Çështje problematike për Southgaten mbetet personi, i cili do të zëvendësojë portierin e lënduar të Burnleyt, Nick Pope. Bashkëlojtarët Tom Heaton dhe Joe Hart kanë luajtur që të dy duke startuar për klubin dhe njihen mirë nga trajneri i Anglisë, ndërsa janë duke u konsideruar edhe opsione të tjera.

Southgate ishte në stadium për të parë Hartin në humbjen e Burnleyt 4:2 kundër Fulhamit, që kishte në portë Marcus Bettinellin.

Alex McCarthy ka mposhtur ish-portierin e Anglisë U-21 Angus Gunn për pozitën e titullarit te Southamptoni dhe është vëzhguar nga stafi i ekipit anglez.

Sa i përket lojtarëve të rinj, pas vetëm tri ndeshjeve në Premierligë këtë edicion, ata nuk kanë pasur minuta të mjaftueshme. Foden, pavarësisht se shkëlqeu në Superkupën e Anglisë, ka luajtur vetëm një herë si zëvendësues në ligë. Sessegnon ishte jashtë ekipit të Fulhamit në fitoren e së dielës. Ndërkohë Sancho luajti vetëm si zëvendësues për Borussia Dormundit në ndeshjen e parë në Bundesligë ndaj Leipzigut. James Maddison ka shkëlqyer me Leicester Cityn gjatë këtij fillimi në Premierligë, por ndoshta zbulimi i të ftuarve është paksa më i hershëm sesa duhet për mesfushorin kreativ./Zëri