Ibraimi: Duam të bëjmë histori të re dhe të hyjmë në grupe

Sport August 29, 2018 - 14:42

Besart Ibraimi ka folur para mediave për pritjet nga ndeshja e të enjtes me Rosenborgun. Kuqezinjtë të enjten kanë para vetes ndeshjen më të rëndësishme në historinë e klubit, kur skuadra do të diskutojë hyrjen në grupet e UEFA Europa League.

Shkëndija u mund 3:1 nga kampioni i Norvegjisë, Rosenborgu në takimin e parë të play offit, ndërsa tani ekipi ka nevojë për fitore 2:0 për të prekur suksesin më të madh në histori.

“Dua të potencoj se jemi për herë të tretë në ‘Play-Off’ të UEFA Europa League dhe kjo paraqet sukses të madh për ne. Tani sigurisht se duam të bëjmë histori të re dhe të hyjmë ne grupe, por pa i krijuar presion vetes. Kundërshtari vjen me llogaritë e veta, kemi negativë nga ndeshja e parë, por premtojmë maksimumin për të tentuar përmbysjen dhe për të bërë këtë na duhet edhe mbështetja e publikut“, u shpreh sulmuesi Besart Ibraimi.

Kuqezinjtë janë vendosur sot në Shkup dhe nga ora 20:00 në stadiumin “Filipi i Dytë” do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore para ndeshjes të së enjtes me Rosenborgun që në program është në orën 20:15.

Ndërkohë skuadra e Rosenborgut ka arritur në Shkup dhe në orën 19:00 do të ushtrojë në stadiumin “Filipi i Dytë”. Paraprakisht nga ora 18:30 kanë paralajmëruar takim me mediat.