E urreva futbollin për gjashtë vjet, mezi e prisja pensionimin

Sport August 27, 2018 - 10:46
Detajet

Ish-sulmuesi anglez Michael Owen ka folur për vështirësinë që ka pasur gjatë karrierës së tij futbollistike. Owen pati një karrierë të shkëlqyeshme në fillimet e tij, duke luajtur për klube të mëdha si Liverpooli dhe Real Madridi. Por vuajti në periudhat e mëvonshme për shkak të lëndimeve të shumta. Anglezi madje kujton kohën kur fshihej në fushë në mënyrë që të mos vraponte, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Michael Owen mezi ka pritur të pensionohet gjatë etapës së fundit të karrierës së tij futbollistike. Owen kishte pasur një karrierë shumë të suksesshme, duke luajtur në nivelet më të larta për klube si Liverpool, Real Madrid, Newcastle dhe Manchester United. Sidoqoftë, lëndimet muskulore e shkatërruan karrierën e ish-reprezentuesit anglez dhe si pasojë e kësaj Owen kalonte më shumë kohë jashtë fushave se brenda saj.

Owen, i cili kishte realizuar 40 gola në 89 ndeshje me Anglinë, ishte pensionuar në 2013-n teksa luante në Premierligë me Stoke Cityn, në moshën 33-vjeçare.

Tashmë 38-vjeçar, ai pranon se e kishte urryet lojën për gjashtë ose shtatë vjet dhe atij i ishte zhvilluar një frikë alarmuese nga vrapimet e shpejta në fushë. “Posa u lëndova në gju isha i mbaruar. Unë e ndryshova lojën time, ndryshova nga një njeri i cili shënonte gola siç bëja unë ndaj Argjentinës duke kaluar lojtarë, isha i shpejtë, vrapoja nëpër fushë, harkoja topin. Ky isha unë. “Në gjashtë ose në shtatë vjetët e fundit të karrierës sime unë bëja vetëm atë që mundesha. Isha i frikësuar nga vrapimi nëpër fushë, unë thjesht e dija që do të tërhiqja ndonjë muskul. Gjëja më e keqe e kësaj, instinkti ju thotë atë që keni bërë gjithmonë, unë isha edukuar për t’u bërë futbollist. Gjëja më e keqe nga të gjitha Macca (Steve McManaman) merr topin dhe më pas unë mendoja ‘oh jo, nuk mundesh, mos e bëj, dorëzohu”, ka deklaruar Owen. “Ju keni humbur gjithçka. Gjithçka që bëja gjatë gjashtë ose shtatë vjetëve të karrierës sime e urreja. Mezi prisja të pensionohem dhe të mbyllja karrierën, sepse nuk isha i njëjti”, thotë ai.

Owen realizoi mbi 200 gola për klube gjatë karrierës së tij 17-vjeçare duke fituar Premierligën, FA Cup, Kupën e Ligës tre herë dhe një Kupë të UEFA-s. Ish-sulmuesi gjithashtu ishte zgjedhur “Futbollisti Evropian i Vitit” në 2001-n, anglezi i parë që prej Kevin Keeganit në vitin 1979.

Por Owen do të shikojë prapa në karrierë me një lloj zhgënjimi për shkak të volumit të lëndimeve të tij, të cilat ai thotë që nuk ndikuan vetëm fizikisht në lojën e tij, por edhe mendërisht.

Lëndimet fatkeqësisht nuk iu larguan kurrë Owenit dhe për herë të parë kjo kishte ndodhur kur ai kishte pësuar lëndim në tejzat e gjurit në moshën 19-vjeçare, prej të cilit kishte mbetur jashtë për 5 muaj.

Ai kishte pasur probleme muskulore në gjurin e tij, në kofshë, në ijë dhe në pulpë të këmbës, por gjithashtu kishte pësuar një thyerje të kockës së këmbës kur kishte luajtur për Newcastlen në 2005-n. “Edhe më keq është se unë e shpjegova se si ndihesha kur Macca e mori topin dhe reagimi im i menjëhershëm ishte ta bëj këtë. Dhe pastaj brenda sekondave jo nuk mundesh, thjesht mos e bëj”, thotë Owen.

“Gjëja më e keqe është se i ktheni këto gjëra në zakon, ku ju as nuk e merrni mundimin që ta vendosni veten në një pozicion ku mund të vraponi. Kështu që ju thjesht shkoni në një zonë ku madje as nuk duhet të jeni”, përfundon anglezi./Zëri