Lajm i keq për Kosovën

Sport August 24, 2018 - 10:42
Detajet

Mesfushori kosovar, Valon Berisha rrezikon seriozisht që të mbetet jashtë grumbullimit të përfaqësueses për dy ndeshjet e shtatorit, raporton zeri.info

Reprezentuesi kosovar i cili gjatë kësaj vere u transferua te Lazio nga Salzburgu, nuk e filloi aventurën e tij në Itali në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pësuar një lëndim para vetëm pak javësh.

Përfaqësuesja e Kosovës më 7 shtator do të takohet me Azerbajxhanin në Baku, kurse tri ditë më vonë i pret në shtëpi Ishujt Faroe, ndeshje këto që do të zhvillohen në kuadër të Ligës së Kombeve.

Futbollisti i Lazios momentalisht është duke vuajtur nga një lëndim dhe për këtë arsye nuk është grumbulluar për ndeshjen e së shtunës ndaj Juventusit.

Kjo gjë ka bërë që paraqitje e tij për ndeshjet e Kosovës në shtator të vihen në dyshim.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes pritet ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar gjatë javës së ardhshme./Zëri