Luani për Kosovën!

Sport August 22, 2018 - 13:39

Milaim Rama i këshillon futbollistët e rinj kosovarë ta zgjedhin Kosovën para vendeve ku janë lindur e rritur. Ish-futbollisti i njohur kosovar thotë se fatkeqësisht për momentin për këta futbollistë prioritet janë vendet tjera para ekipit Verdhekaltër. Megjithatë, ish-përfaqësuesi i Zvicrës thotë se Kosova duhet të bëjë më shumë dhe t’ju krijojë kushte këtyre talentëve, në mënyrë që ata ta zgjedhin vendin e prindërve të tyre pa menduar dy herë

Pranimi në UEFA e FIFA bëri që Përfaqësuesen e Kosovës ta përqafonin një pjesë e madhe e futbollistëve që janë rritur jashtë vendit, shkruan sot gazeta Zëri.

Por, lojtarët kryesorë preferuan të vazhdonin të luanin me Kombëtaret e deritashme, ku kanë luajtur për ekipet zinxhirë.

Edhe në ditët e sotme vazhdon një “luftë” e ashpër, sidomos në mes të Kosovës e Shqipërisë me Zvicrën, ku gjendet ajka e futbollistëve të rinj kosovarë.

Në mungesë të kushteve, por edhe të profesionalizmit nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila nuk ka skautë apo menaxherë të duhur për t’i ndjekur në detaje dhe këmba këmbës talentët e rinj që janë lindur dhe rritur jashtë vendit, këta të fundit tash për tash i kanë prioritet vendet ku jetojnë qe një kohë të gjatë.

Milaim Rama, ish-futbollist i njohur kosovar paralajmëron se Kosova mund të humbë edhe futbollistë të tjerë për shkak të neglizhencës dhe mosangazhimit të duhur për t’i afruar këta futbollistë.

Ai ka biseduar edhe personalisht me një pjesë të tyre dhe tregon se ata janë më shumë të interesuar për t’i përfaqësuar vendet ku janë rritur, sesa Kosovën.

Image

“Ne duhet të angazhohemi më shumë, duhet të vendosim edhe struktura të duhura, njerëz të duhur në ato pozicione, që t’ju ofrohen atyre djemve kushtet. Pse mos t’i kemi në brendësi të Kosovës, por edhe Shqipërisë. Më ka rënë të flas me djelmosha, për momentin më shumë preferojnë të luajë për një vend tjetër para Kosovës. Duhet t’ju afrohemi dhe duhet t’i bindim. Me futbollistë të mirë, me njerëz të mirë, mund t’ia kthejmë namin Kosovës, të arrijmë diçka të madhe. Ishalla një ditë nuk na përcjellë fati i njëjtë me të kaluarën. Duhet të jemi afër njëri-tjetrit, ta duam njëri-tjetrin, që ta përfaqësojmë Kosovën sa më mirë”, deklaroi fillimisht 42 vjeçari për “Zërin”.

“Edhe sot do të them se nuk do të ketë vend Zvicra për krejt shqiptarët. Ne duhet të angazhohemi që ata djem që e kanë kualitetin, me kohë t’ju jepet mundësia që të vijnë të luajnë për vendin e tyre, e jo të presin”, nënvizoi Rama.

E ëndërroi Shqipërinë e Kosovën

Milaim Rama në kohën e tij ka luajtur për Zvicrën, me të cilën zhvilloi shtatë ndeshje dhe mori pjesë edhe në Evropianin 2004.

Ai është futbollisti i parë shqiptar që e ka përfaqësuar shtetin Helvetik.

Rama ndihet krenar që luajti për këtë vend që i dha gjithçka atij, por e pranon se ëndërr e tij ka qenë të luante për Shqipërinë ose Kosovën, edhe pse kjo e fundit në atë kohë nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht.

Image

“Unë e kam cekur dhe e them, nuk duhet ta harrojmë se prej nga vijmë. Nuk guxojmë t’i ikim realitetit se kush jemi dhe nga vijmë. Dëshirë e çdo futbollisti është që ta vesh fanellën e atij vendi prej nga je, kjo është krenari e madhe. Mua nuk mu ka dhënë mundësia, por kam ëndërruar të luaj për Shqipërinë ose Kosovën. Me shumë vonesë jam ftuar tek Zvicra. Sot është dhënë mundësia që shtetit tonë t’ia kthejmë dinjitetin, që edhe ne të krenohemi me një reprezentacion tonin. Ne e kemi gjithë këtë talent. Po flasim për jashtë, pasi brenda vendit nuk po mundemi të zhvillohemi. Ata që e duan sportin kanë dëshirë t’i shohin ndryshe gjërat në futbollin kosovar”, shprehet ndër të tjera Rama, i cili për momentin tregon se është duke bashkëvepruar me një mik të tij nga Struga, i cili e ka një firmë të veten dhe merret me sigurime.

Gati ta ndihmojë Kosovën

Milaim Rama e ka kaluar një pjesë të mirë të jetës në Zvicër. Ai e njeh mirë futbollin zviceran, lojtarët shqiptarë atje dhe ka marrëdhënie të mira me ta, por edhe me Federatën Zvicrane, në një shtet ku gëzon respekt të madh. Prandaj, ai është i gatshëm ta ndihmojë futbollin kosovar në çfarëdo mënyre, nëse i kërkohet një gjë e tillë, diçka që nuk ka ndodhur deri tash.

“Unë kam qenë i gatshëm dhe tash kam respekt jashtëzakonisht të madh, jo vetëm prej popullit shqiptar, por edhe atij zviceran. Kam lënë gjurmë dhe ato vërehen. FFK-së nuk i ka shkuar mendja, nuk ka pasur ndonjë kontakt me mua, nuk e di për çfarë arsye. Kam qenë i gatshëm, por jam edhe tash. Pse mos të bëj edhe unë diçka! Lojtarët që kemi luajtur jashtë, përfshirë këtu edhe mua, ju kemi treguar botës se prej nga vijmë”, shton Rama, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar tek Thuni në Zvicër.

Image

Përfaqësuesja e Kosovës ka të ardhme

Rama sa ka mundur e ka përcjellë edhe Përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën mendon se ka ngritje shkallë-shkallë.

Ai këshillon që të bëhet më shumë që të afrohen talentët e rinj që luajnë jashtë vendit në mënyrë që Verdhekaltrit në të ardhmen të kenë objektiva të mëdhenj.

“Përfaqësuesja e Kosovës dalëngadalë e ka një ngritje. E kam përcjellë gjatë krejt kualifikimeve. Ishim shumë euforikë, por është normale pas pranimit është ashtu, s’mund të presim më shumë. Unë mendoj që Kombëtarja duhet të afrojë lojtarë, sa më herët të kontaktohen djelmoshat e rinj, t’ju jepet mundësia, ka mjaft. Edhe këtë vit e kemi parë që në Superligë të Zvicrës ka futbollistë të mirë kosovarë dhe është mundësia t’i afrojmë, por kemi mbetur pak prapa”, përfundoi Rama, i cili krahas Thunit, gjatë karrierës ka luajtur edhe për Augsburgun në Gjermani. /Zëri/