Çfarë neglizhence!

Sport August 22, 2018 - 11:34

Stadiumi i rinovuar me 9 milionë euro në Prishtinë as një javë prej inaugurimit nuk është në dispozicion të futbollit. Kjo arenë e modernizuar lëre që nuk është licencuar ende nga UEFA, por as nga Prishtina zyrtare, që vetë e ka rinovuar. Ministria e Sportit akoma nuk e ka bërë pranimin teknik, ndërsa kampionati në vendin tonë tashmë veç ka filluar dhe pësoi çrregullim qysh në start si pasojë e neglizhencës institucionale

Para një jave udhëheqës të institucioneve të shtetit, të Komunës së Prishtinë dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me konferenca për medie të njëpasnjëshme i paraprinë inaugurimit të stadiumit të rinovuar me 9 milionë euro “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, i cili u hap me ndeshjen e Superkupës Drita - Prishtina, që i mblodhi rreth 10 mijë shikues.

Udhëheqësit e institucioneve para kamerave shprehnin krenari për punën e bërë në këtë stadium, prej të cilit paralajmëronin investime të tjera të mëdha edhe në stadiume të tjera nëpër Kosovë.

Mirëpo një javë më vonë u kuptua se të njëjtat institucione ende nuk e kanë bërë gati për ndeshje futbollistike as stadiumin e posarinovuar me 9 milionë euro, shkruan sot gazeta Zëri.

Stadiumi ende nuk ishte pranuar teknikisht nga Ministria e Sportit dhe si pasojë e kësaj kampionati i porsafilluar i futbollit në vendin tonë pësoi çrregullim.

Kjo pasi ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, e paraparë për t’u zhvilluar në mbrëmjen e së hënës, u anulua vetëm pak orë para fillimit të saj, kur tifozët veç kishin blerë bileta si në kryeqytet, ashtu edhe në Gjilan.

Madje edhe ekipet kishin shkuar te stadiumi, ku nuk u lejuan të luajnë.

Kjo i ka shkaktuar kokëçarje edhe FFK-së, e cila vetëm pak orë para fillimit të lojës njoftoi për shtyrjen e saj për një datë tjetër.

Image

“Komisioni i Garave gjatë regjistrimit të ndeshjeve të javës së parë u informua nga KF “Prishtina” dhe MKRS-ja se kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet me arsyetimin se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk është pranuar teknikisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka theksuar FFK-ja.

Kurse FC Prishtina i kritikoi institucionet për neglizhencë e Gjilani filloi të kërkojë fitore me rezultat zyrtar për shkak se kishte udhëtuar deri në kryeqytet madje edhe me tifozë.

Ndërsa nga Ministria nuk foli askush.

Në fakt, Kosova qe një javë është duke e pritur vendimin e UEFA-s nëse e ka pranuar stadiumin e Prishtinës për ndeshje ndërkombëtare, pas ndeshjes testuese të para një jave Drita – Prishtina.

Lëre që UEFA nuk e ka dhënë ende verdiktin e vet, por edhe më e çuditshme është se as Prishtina zyrtare nuk e ka pranuar e as nuk e ka refuzuar akoma pranimin teknik të stadiumit, gjë që i takon ta bëjë Ministria e Sportit si investitor kryesor.

Kështu, pa pranim teknik në stadium nuk mund të zhvillohen ndeshjet kampionale.

Nga kjo buron edhe një tjetër çudi e madhe kur dihet se vetëm një javë më herët në të njëjtin stadium, i cili ende nuk është pranuar teknikisht, u zhvillua një ndeshje e madhe zyrtare, ajo ndërmjet Dritës dhe Prishtinës për Superkupën shtetërore, ku ishin tubuar rreth 10 mijë shikues, por edhe liderë të lartë shtetërorë. /Zëri/