Rekord pas rekordi!

Sport August 22, 2018 - 11:04

Lionel Messi është njeriu i rekordeve. Pasi e fitoi ditë më parë trofeun numër 33 në karrierë, të cilën nuk e ka arritur askush më parë, ylli argjentinas së fundmi e regjistroi një tjetër rekord – e shënoi golin jubilar numër 6,000 të Barcelonës në La Liga. Trajneri Ernesto Valverde e ka quajtur atë një gjeni dhe thotë se njerëzit janë me fat që jetojnë në epokën e pesë herë fituesit të Topit të Artë

Lionel Messi nuk ka të mbaruar, shkruan sot gazeta Zëri.

Ylli argjentinas e nisi një tjetër sezon në mënyrë maestrale duke realizuar dy gola fundjavën që shkoi në fitoren 3:0 ndaj Alavesit në Camp Nou.

Ishte pikërisht pesë herë fituesi i Topit të Artë ai që e shënoi golin e 6,000 jubilar të Barcelonës në La Liga në sezonin e tij të 15-të me gjigantin katalunas.

Nëntë vjet më parë, “maestro” e kishte shënuar golin numër 5,000 në La Liga për Barçën dhe tash është përsëri ai, duke i thyer rekordet një nga një dhe duke e shkruar emrin e tij në histori të futbollit.

Kjo paraqitje e shkëlqyeshme vjen pas kampanjës dëshpëruese me Argjentinën në Botërorin e Rusisë, ku ekipi jug-amerikan u eliminua menjëherë pas fazës së grupeve nga Franca.

Messi është në mesin e më të mirëve në botë për afro 10 vjet, ndërsa vetëm Cristiano Ronaldo është duke e sfiduar atë për titullin e më të mirit në nivelin personal.

33 kupa

Lionel Messi javën e kaluar e regjistroi një tjetër rekord, duke u bërë lojtari i parë në histori të Barcelonës që i fiton 33 trofe.

Ylli argjentinas e ka fituar 9 herë La Ligan, 6 herë Copa del Rey, 8 herë Superkupën e Spanjës, 4 herë Ligën e Kampionëve, 3 herë Superkupën e Evropës dhe 3 herë Botërorin e Klubeve.

Messi: Do të mundohemi ta fitojmë Championsin

Pra, “Pleshti” pritet ta kalojë një tjetër sezon sensacional pasi kjo u pa qysh në ndeshjen e parë të gjigantit katalunas.

“Sezoni i kaluar ishte mjaft i mirë pasi i fituam dy trofe, por ndihemi keq se si na shkuan punët në Ligën e Kampionëve, ka thënë Messi.

“Ne premtojmë se këtë sezon do të japim gjithçka që mundemi për ta sjellë përsëri atë trofe të bukur në Camp Nou”, ka shtuar ylli argjentinas.

Valverde: Messi është gjeni

Messi e la prapa zhgënjimin e Botërorit për t’iu kthyer buzëqeshjes me Barcelonën.

Dhe, paraqitjen e tij të fundit e ka përshëndetur edhe trajneri i Barçës, Ernesto Valverde, i cili i ka këshilluar tifozët që ta shijojnë çdo moment duke e parë atë duke luajtur.

“Ne jemi me fat që mund ta shohim atë çdo ditë. Messi është gjeni. Jemi me fat që po jetojmë në epokën e tij. Ka ende hapësira që Messi të na befasojë. Ai gjithmonë të befason, ai nuk ndalet kurrë së më ngazëlluari, sinqerisht”, deklaroi trajneri Valverde. /Zëri/