Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi: Duhet të jenë më të përgjegjshëm, na kanë njoftuar sot rreth orës 15:00 (VIDEO)

Sport August 20, 2018 - 20:56
VIDEO

Sonte (e hënë) ishte planifikuar që të zhvillohej ndeshja e fundit të xhiros së parë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, raporton Insporti.

Ndeshja ishte paraparë që të zhvillohej në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë nga ora 19:45, mirëpo me vendim të Ministrisë së Sportit, ky takim është shtyrë pasi që stadiumi nuk është licencuar ende.

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, e ka komentuar shtyrjen e ndeshjes.

“Duhet të jenë më të përgjegjshëm, së paku duhet të na njoftojnë 24 orë më herët. Besoj që është pakujdesi ndaj të dy klubeve, tifozëve, futbollit dhe sportit”.

Duhej të na tregonin më herët se stadiumi nuk është në gjendje, nuk është dorëzuar teknikisht. Neve na kanë njoftuar sot (e hënë) rreth orës 15:00. Kjo nuk është e drejt, së paku të na kishin njoftuar 24 orë më herët”, ka thënë para medieve ndër të tjera.

“Kam takuar njerëz, që i kanë lënë pushimet për të shikuar ndeshjet. Por, ata të cilët kanë blerë bileta, mund t’i shfrytëzojnë ato kur të vendoset të zhvillohet kjo ndeshje”, përfundoi presidenti i Prishtinës.

Ndërkohë, Prishtina dhe Gjilani kanë arritur në stadium, raporton Insporti nga vendi i ngjarjes.

Gjilani kërkon që t’i marrë tri pikët në tavolinë shkaku i udhëtimit të tyre në kryeqytet dhe njoftimit të vonshëm për shtyrjen e ndeshjes.

Në anën tjetër, Prishtina gjithashtu ishte gati për të luajtur ndeshjen, por vendimi ishte nga lartë për shtyrjen e takimit.