UEFA le jashtë Messin, njihuni me 3 pretendentët për “Lojtarin e vitit”

Sport August 20, 2018 - 17:30
Lexo detajet

Cristiano Ronaldo, Luka Modriç dhe Mohamed Salah do të diskutojnë mes tyre çmimin e “Futbollistit më të mirë të vitit” nga UEFA.

Qeveria e futbollit europian ka përzgjedhur 3 emrat finalistë, të ceremonisë që vlerëson lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar.

Tri kandidaturat e pritshme u përzgjodhën nga një komision i përbërë nga 80 trajnerët e Champions League dhe Europa League, si dhe 55 gazetarë të federatave anëtare të UEFA-s.

Çmimi që do të përcaktojë më të mirin e kontinentit do të zbulohet në një ceremoni, që do të zhvillohet më 30 gusht në Principatën e Monakos.

Ronaldo, Luka Modriç dhe sulmuesi egjiptian Salah ishin që të tre të pranishëm në finalen e Championsit në muajin maj, në ndeshjen që i dha Realit të Madridit trofeun në Kiev, pas fitores 3-1 ndaj Liverpoolit.

Mungesa e madhe, krahasuar me të gjitha listat finale të sezoneve të fundit, është Lionel Messi. Futbollisti argjentinas finalizoi një sezon jo shumë entuziasmues me Barcelonën, që u shoqërua nga Botërori zhgënjyes me kombëtaren.