S’ka krizë për Prishtinën

Sport August 20, 2018 - 10:30
Lajmet e fundit nga sporti

Pavarësisht krizës së jashtëzakonshme financiare, e cila e ka shtrirë për toke basketbollin kosovar dhe të gjitha klubet e saj, Sigal Prishtina nuk e ka ndërmend t’i dorëzohet këtij fenomeni të rëndë. Sikurse në të kaluarën Bardhekaltrit me ambicie të mëdha po e presin stinorin e ri, në të cilin do të tentojnë ta kthejnë titullin e kampionit të kryeqytetit prej Bashkimit të Prizrenit, ndërsa prioritet e kanë edhe Kupën. Por jo vetëm kaq. Prishtinasit me ambicie po e presin aventurën e re të tyre në Evropë, shkruan Gazeta "Zëri".

Kampionët dominues të basketbollit kosovar pavarësisht faktit se në sezonin e fundit e humbën titullin nga Bashkimi janë ftuar për të marrë pjesë në njërën prej ligave më të forta në basketbollin evropian, në Ligën e Kampionëve. Kjo ka bërë që Kryesia e klubit t’i përvjelë mëngët dhe ta fillojë konsolidimin e skuadrës. Klubi e ka nisur procesin e përforcimeve  të filluar dikur prej trajnerit.

Kryeqytetasit e kanë zyrtarizuar gjermanin Matthias Zollner në postin e shefit të shtabit teknik. “Trajneri i mirënjohur gjerman Matthias Zollner do të jetë kryetrajner i skuadrës për edicionin e ri 2018/19. 37-vjeçari fillimisht e ka udhëhequr ekipin e vendlindjes së tij TSV Dachau për pesë vjet dhe pastaj u zgjodh në krye të ekipit të famshëm gjerman, Munich Basket. Pas sukseseve te skuadra bavareze Zollner emërohet ndihmëstrajner i Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas. Zollner me sukses kishte punuar edhe në Austri, ku ka fituar titull të kampionit dhe ka marrë çmim të “Trajnerit të Vitit”. Sukseset në Austri e kishin bërë gjermanin edhe selektor të Përfaqësueses Austriake në kualifikimet për Botëror. Kurse tani do ta udhëheqë Prishtinën drejt trofeve në Kosovë dhe paraqitjeve dinjitoze në Champions. Posa ka arritur marrëveshje me Sigal Prishtinën, kjo e fundit i bëri “dhuratë” trajnerit gjerman duke ia sjellë në skuadër përforcimin e parë. Fjala është për basketbollistin organizator amerikan Kyan Anderson. 26-vjeçari ka luajtur në Belgjikë, në Gjermani dhe në Francë, ndërsa tani vjen në Kosovë për t’i ndihmuar Prishtinës në kampionatin vendor, mbi të gjitha në Evropë. “Prishtina po bëhet gati që edhe këtë vit t’i përfaqësojë shqiptarët në Evropë në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaron Sigal Prishtina, e cila së shpejti pritet të prezantojë edhe përforcime të tjera.

Në xhiron e parë të Ligës së Kampionëve ekipi kosovar do të takohet me kampionin holandez Donar Groningen. Ndeshja e parë do të luhet më 20 shtator në Prishtinë, kurse ajo e kthimit më 22 shtator në Holandë.

Mirëpo Prishtina do të ketë punë shumë më të lehtë në Kosovë, ku e pret një konkurrencë tejet e dobët. Basketbolli kosovar po përballet me telashe të shumta, saqë as kampioni në fuqi Bashkimi nuk e di se si do t’ia bëjë. Kurse klubi gjigant Peja nuk do të marrë pjesë në asnjë rang garues, pasi është diskualifikuar nga FBK-ja shkaku i borxheve tejet të mëdha. Paramendoni klubet e tjera!