Julen Lopetegui e nis me fitore aventurën e re në Real Madrid

Sport August 20, 2018 - 00:08
Lajmet e fundit nga sporti

Julen Lopetegui e ka nisur me këmbë të mbarë punën e tij në stolin e Real Madridit, që sonte e mposhti lehtësisht Getafen në “Santiago Bernabeu”.

Real Madridi e mundi 2-0 Getafen në ndeshjen e tyre hapëse të edicionit të ri 2018/19 të La Ligës të dielën në “Santiago Bernabeu”, raporton Gazeta Express.

Madrilenëve mund t’iu ketë munguar Cristiano Ronaldo, që iu bashkua Juventusit këtë verë, për të tërhequr më shumë tifozë, por jo edhe në fushën e lojës, pasi fitorja u arrit pa shumë mund.

Për herë të parë që prej vitit 2009, Reali Madridi pati praninë më të ulët të tifozëve në një ndeshje të kampionatit në shtëpi, vetëm 48.446.

Megjithatë, kjo nuk paraqiti problem për Dani Carvajalin, i cili pas 20 minutave lojë, i kaloi vendasit në epërsi.

Më pak se dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, Gareth Bale shënoi për ta dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij.

Lopetegui, që e zëvendësoi Zinedine Zidanin në stol, e nisi kështu me këmbë të mbarë etapën e re në karrierën e tij, duke i arkëtuar pikët e plota.