Liri, a je ti?!

Sport August 18, 2018 - 15:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota
Image

Elita e futbollit kosovar zyrtarisht e mban emrin “Superligë”, mirëpo brenda saj ndodhin gjëra të çuditshme që nuk kanë të bëjnë me profesionalizëm, shkruan "Zëri". 

Në ligat profesionale të vendeve tjera klubet gjatë afateve kalimtare bëjnë ndryshime në përbërje në përpjekje për të shënuar ngritje, por nuk i ndërrojnë gjithë futbollistët. Kurse në Kosovë ka klube që e bëjnë të kundërtën.

Shembulli i fundit është Liria. Klubi prizrenas në kampionatin e fundit gati deri në fund ishte kandidat serioz për titull të kampionit.

Me këtë nënkuptohet se në përbërjen e vet kishte futbollistë mjaftë cilësorë dhe në vend se “t’i blindojë” të njëjtit dhe t’ua shtojë edhe ndonjë përforcim tjetër,

Liria i ka ndërruar gati të gjithë.

Kështu, kampionatin e ri bardhezinjtë po e presin me përbërje krejt tjetër. Pas përfundimit të kampionatit të kaluar nga qyteti i lashtë u largua një numër i madh i futbollistëve, ndërsa drejtuesit e skuadrës i kanë transferuar në stadiumin “Përparim Thaçi” 18 lojtarë tjerë.

Muhamed Berisha, Gerald Tushe, Rilind Kastrati, Blendi Memaj, Fatih Karahoda, Shpresim Fazlija, Ragip Thaqi, Robert Gjeraj, Valon Bytyqi, Ibrahim Walidjo, Florian Daci, Françesko Lamaj, Aldo Mitraj, Granit Osmanollaj, Drilon Hodaj, Gentian Binishi, Liridon Fetahaj dhe Ramadan Kryeziu janë ardhjet e reja. Por jo vetëm skuadra ka ndryshuar krejtësisht. Lirisë i ka ndryshuar edhe shtabi teknik. Trajnerin e suksesshëm të sezonit të kaluar, Bledi Shkëmbin, prizrenasit e kanë zëvendësuar me Bedridin Gjinali.

Lirisë i është ndërruar edhe kryesia udhëheqëse e klubit. Pavarësisht ndryshimeve drastike prizrenasit besojnë se janë komponuar mirë brenda pak javësh për ta nisur një kampionat i cili do t’i prodhojë tri skuadra për pjesëmarrje në gara evropiane.

Ata do të startojnë të shtunën me ndeshjen që do ta zhvillojnë në shtëpi ndaj anëtarit të ri elitar, Ballkanit të organizuar dhe të përforcuar.

“Jemi duke punuar shumë dhe pres që të kemi start sa më bindës. Premtoj adhuruesit e skuadrës se Liria do të jetë arrë e fortë”, ka thënë kapiteni Gjeraj.

Në sezonin e kaluar ky ekip ka përfunduar në vendin e pestë në Superligë duke e kaluar njërin prej sezoneve më të mirë në vitet e fundit. /Zëri